8 C
Pristina
E hënë, 26 Janar, 2026
Home Blog Page 2

Bellingham shpërthen në rrjetet sociale pas shkarkimit të Xabi Alonsos

Jude Bellingham ka reaguar ndaj raportimeve se kishte një marrëdhënie të keqe me Xabi Alonson, duke lëshuar një deklaratë të ashpër ku ka kritikuar hapur median.

Pas humbjes së Real Madridit ndaj rivalëve historikë të Barcelonës në finalen e Superkupës së Spanjës, e zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite, klubi konfirmoi ndarjen nga Alonso.

Trajneri spanjoll drejtoi ish-klubin e tij vetëm për shtatë muaj, një periudhë gjatë së cilës u përball me presion të vazhdueshëm.

Që nga publikimi i lajmit për largimin e tij, janë shfaqur disa raportime që pretendojnë të zbardhin atë që ndodhi prapa skenave gjatë mandatit të Alonsos, me disa media që sugjeronin se ai kishte një marrëdhënie të tensionuar me yllin e skuadrës, Jude Bellingham.

Tashmë që Alonso ka lënë Real Madridin, mesfushori anglez ka vendosur të flasë dhe t’u përgjigjet këtyre thashethemeve, duke e bërë të qartë se nuk është aspak i kënaqur me to.

Dihet se gjatë kohës sa ishte trajner i Real Madridit, Alonso pati një përplasje mjaft publike me Vinicius Junior, i cili ende nuk ka reaguar pas largimit të trajnerit spanjoll.

Megjithatë, Bellingham ka hedhur poshtë raportimet që e krahasonin marrëdhënien e tij me Alonson me atë situatë, duke i quajtur “klounë” mediat që pretenduan se ai dhe ish-trajneri i tij ishin në marrëdhënie të këqija.

“Deri tani kam lënë të kalojnë shumë prej këtyre gjërave, gjithmonë duke shpresuar se e vërteta do të dilte në dritë në kohën e vet. Por sinqerisht… çfarë marrëzie”.

“Vërtet më vjen keq për njerëzit që kapen pas çdo fjale të këtyre klounëve dhe ‘burimeve’ të tyre”.

“Mos besoni gjithçka që lexoni. Herë pas here, këta duhet të mbahen përgjegjës për përhapjen e këtij lloj dezinformimi të dëmshëm, vetëm për klikime dhe për të shtuar polemika”, ka shkruar anglezi.

Krasniqi zyrtarizohet te skuadra ukrainase

Ilir Krasniqi ka lëvizur brenda Ukrainës, ndërsa do të luajë tash e tutje për skuadrën që e kërkon titullin e kampionit. Mbrojtësi i Kosovës nga Kolos Kovalivka është transferuar te Polissya Zhytomyr, që pritet të luftojë për vendin e parë.

Pas stinorit vjeshtor, Polissya është në vendin e tretë me 30 pikë, pesë më pak se LNZ Cherkassy ku luan Muharrem Jashari dhe Shakhtar Donetsku i famshëm.

Kolosi është i gjashti me 25 pikë.

25-vjeçari te Kolosi ishte lojtar i rëndësishëm. Te Polissya po ashtu pritet të jetë përforcim i madh.

“Kontrata me lojtarin është firmosur për tri vjet e gjysmë. Ai do të luajë me numrin 16 te Polissya. Krasniqi ka përvojë në Premier Leaguen e Ukrainës, që do t’i ndihmojë të përshtatet më shpejt në klubin e ri. 25-vjeçari është i njohur për etikën e punës, vizionin në fushë dhe aftësinë për të vepruar me sukses në qendër të mbrojtjes dhe në zonën defenzive. Ilir Krasniqi ka 17 paraqitje me ekipin nacional të Kosovës”, shkruan ndër të tjera në prezantimin që Polissya i ka bërë Krasniqit.

Kjo skuadër e angazhoi një lojtar edhe të hënën, ndërsa ka vazhduar me disa të tjerë. Ndërkohë më 25 dhjetor e transferoi edhe mesfushorin e Kosovës, Lindon Emërllahun nga Cluji rumun.

Pra Krasniqi e Emërllahu do të jenë bashkëlojtarë në Ukrainë. Bashkëlojtarë te Metalist 1925 janë Baton Zabërgja e Ermir Rashica.

Krasniqi ka luajtur për Fushë Kosovën e KEK-un, ndërsa zhvillim të hovshëm bëri te Llapi. Prej Llapit u transferuar te Kolos Kovalivka më 11 shtator të vitit 2024. Tashmë është pjesë e rëndësishme e Kosovës. Në kualifikimet e rregullta për Botërorin 2026 ishte prej lojtarëve të rëndësishëm të mbrojtjes.

Sipas mediave ukrainase, Polissya ka ndarë rreth 2 milionë euro për të siguruar shërbimet e Krasniqit.

Ai i ka 36 ndeshje në kampionatin ukrainas, ndërsa në edicionin aktual u paraqit 16 herë.

Risi në futbollin kosovar, të gjitha ndeshjet e Superligës planifikohen të luhen me reflektorë

Federata e Futbollit të Kosovës është në fund të finalizimit të projektit dhe nga edicioni i ardhshëm pritet që të gjithë ndeshjet e Superligës dhe disa të Ligës së Parë të luhen nën dritat e reflektorëve.

Burimet e Ballkanit.info mësojnë se FFK do të investojë në të gjitha stadiumet e skuadrave të Superligës së në Gjilan, Klinë, Mitrovicë, Podujevë, Suharekë, Malishevë, Ferizaj… duke instaluar refletorët në mënyrë që ndeshjet të luhen edhe në mbrëmje që do të ishte shumë më atraktive për tifozët.

“Në të gjitha stadiumet e skuadrave të Superligës, por edhe disa të Ligës së Parë do të vendosën reflektorët që është një investim i FFK-së. Pra ndeshjet do të mund të luhen në mbrëmje që do të ishte shumë më atraktive dhe joshëse për tifozët”, kanë thënë burimet për portalin tonë.

FFK tashmë u ka mundësuar të gjitha klubeve kosovare të kenë fushën ndihmëse, ku mund të zhvillojnë përgatitjet ndërsa tash investimi i radhës është edhe në reflektorë që do të ishte shumë e mirëseardhur për klubet dhe tifozët e futbollit.

Kualifikimet, vlera milionëshe dhe ëndrra Botëror – Ademi flet për vitin e artë të Kosovës në fubboll

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një intervistë të gjerë për KosovaPress ka folur për vitin 2025 si një nga periudhat më të suksesshme për futbollin kosovar. Ai ka vlerësuar arritjet e Kombëtares A, progresin e grupmoshave të reja, rritjen e klubeve të Superligës dhe ambiciet e Kosovës për kualifikim në garat më të mëdha ndërkombëtare, duke theksuar se zhvillimi i futbollit është rezultat i një pune të vazhdueshme dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet.

Duke folur për Kombëtaren A, Ademi ka theksuar se paraqitjet e saj kanë qenë pika kulmore e vitit 2025. Sipas tij, suksesi dhe kualifikimi në play-off për Kupën e Botës kanë qenë pasqyrim i potencialit real të futbollistëve kosovarë.

“Qershia mbi tortë ose si rezultat, pasqyra e matjes dhe pasqyra e dëshira e të gjithë njerëzve të futbollit ka qenë ekipi nacional A, kombëtarja jonë, që gladiatorët tanë arritën të na bëjnë krenarë dhe të na kualifikojnë në play-off-in e Kupës së Botës, për vetëm nëntë vjet, jo rastësisht është shpallur edhe ekipi histori e suksesit nga FIFA vetë. Pra, është, për çdokënd, për kaq vite, faktikisht është një, si një lloj surprize, edhe pse, ç’është e vërteta, pritja ka qenë që do të shpërthejë Kosova duke e parë formën e futbollistëve, duke i parë futbollistët tanë që po shkëlqejnë yjet tanë, gladiatorët tonë, që i quaj unë tash. Sigurisht që po shkëlqejnë nëpër vendet e veta, nëpër klubet e veta, ata ku luajnë dhe ku e ofrojnë kontributin e tyre, dhe sigurisht që është gjetur çelësi ose ka ardhur momenti që është komponuar një ekip jashtëzakonisht mirë, në krye me trajnerin Foda”, thekson fillimisht Ademi.

Në vijim, kreu i FFK-së ka ndalur vëmendjen te Kombëtarja U21, duke e konsideruar garën e saj si një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kosovar. Ai ka shprehur optimizëm për mundësinë e kualifikimit në Kampionatin Evropian.

“Ngjarje të tjera janë edhe U-21 që është në garë. Edhe ajo do të jetë shumë interesante dhe ka mundësi që do të kualifikohemi. Është jashtëzakonisht mirë dhe e kam shumë me qejf kualifikimin e U-21-it në këtë rast sepse dihet ky kampionat ku mbahet dhe si mbahet U-21-shi evropian dhe për këtë fakt jam shumë i lumtur po të shkonim dhe shpresoj dhe besoj që do të shkojmë në këtë kampionat, Kosova që do të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme si shtet i pavarur që është”, vijon tutje Ademi.

I pari i FFK-së, ka folur edhe për rritjen e jashtëzakonshme të vlerës së klubeve të Superligës së Kosovës. Ai ka theksuar se investimet e presidentëve, donatorëve dhe investitorëve kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të garës dhe në rritjen e vlerës financiare të klubeve.

“Por, në këtë rast, meritën më të madhe e kanë presidentët e klubeve dhe donatorët e klubeve dhe investitorët e klubeve, të cilët fillimisht e kanë bërë investimin e tyre dhe dihet tani sa është rritur niveli edhe në Transfermarkt i klubeve tona. Faktikisht nëse e marrim mesataren sepse nuk e kanë të njëjtë, por nëse e marrim mesataren është 4 milion e 800 mijë euro diku vlera e secilit klub në Superligë. Ose më mirë me thënë, çmimi më i lartë i një klubi që i prinë renditjes së vlerës është 8.5, ndërsa më i ulti është 2.300 – 2.400 afër. Që është një avancim jashtëzakonisht i madh sepse diku katër apo pesë vjet më parë çmimi më i lartë i një klubi tonë ka qenë 550.000”, bën të ditur Ademi.

Sa i përket synimeve për Kupën e Botës 2026, Ademi ka theksuar se Kosova po përballet me sfida të mëdha, por se besimi në ekip dhe puna profesionale janë çelësi për të arritur objektivin. Ai ka nënvizuar se në këtë fazë nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe se çdo ndeshje kërkon përgatitje maksimale, me synimin e qartë për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse flasim profesionalisht nuk është ndeshje e lehtë, fillimisht me Sllovakinë. Por edhe ndeshja e dytë që na vjen, pra duhet me qenë, siç thuhet, në një formë popullore me këmbë në tokë dhe duhet menduar drejt dhe profesionalisht sepse secili i ka ambiciet e veta. Secili ekip që ka ardhur deri këtu, mund të themi, edhe ata i thonë vetes që janë të mirë sikur ne që jemi. Tani nuk ka më autsajder, nuk ka ekip që e cila është shumë e dobët ose e ka të sigurtë, secili ekip mund ta mposhtë tjetrin. Nuk ka asnjë ekip të sigurtë, asnjë ndeshje nuk është e sigurte…Besoj në këtë ekip dhe mendoj që sa i përket kualitetit mund të ndodhë gjithçka, por ne mendoj që po punojmë dhe jemi duke bërë të pamundurën në të gjitha drejtimet për të qenë në Amerikë, sepse kemi shumë me interes pikërisht sivjet me qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Ademi.

Në fund, Ademi ka komentuar edhe interesimin e madh të klubeve evropiane për futbollistin Fisnik Asllani.

“Fisnik Asllani ka shumë kërkesa, në këtë rast oferta, nga shumë klube, por gjithsesi, mua po më pëlqen edhe prindi i tij, babai i tij, Fadili…Ai dhe vetë Fisniku që e kanë një ide, që Fisniku duhet të shkojë në një klub ku luan, jo ndonjë klub shumë i madh, ose, jo shumë i madh, po secilindo që të gjitha që janë klubet, top klubet e Evropës që janë duke e kërkuar, secilindo që të shkon është klub i madh, por jo aty ku mendon që se kurrë s’i dihet ku do luash e ku do mbetesh në pankinë. Por gjithsesi duhet të shkojë diku ku atij klubit që i duhet të jetë standard që të fillojë garën menjëherë në atë klub. Sepse ky është në kohën më të mirë të mundshme”, deklaroi Ademi.

Sipas Ademit, sukseset e vitit 2025 nuk janë të rastësishme, por rezultat i një vizioni afatgjatë, investimeve të vazhdueshme dhe besimit në potencialin e futbollistëve vendorë, me synimin që Kosova të vazhdojë të forcojë pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.

Agim Ademi: Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në urimin e tij për vitin 2026, ka thënë se viti që po e lëmë pas (2025) do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi.

“Gjatë këtij viti, FFK ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, në digjitalizimin e sistemeve, në edukimin e kuadrove profesionale dhe në forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.

Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar”, ka shkruar Ademi.

Postimi i plotë:

Të dashur futbollistë/e, trajnerë/e, gjyqtarë/e, drejtues klubesh, tifozë, partnerë, komunitet i futbollit, qytetarë të Republikës së Kosovës kidhe bashkatdhetarë,

Në prag të ndërrimit të motmoteve, është momenti i duhur për të reflektuar me krenari mbi arritjet dhe punën e bërë gjatë këtij viti.

Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi.

Gjatë këtij viti, FFK ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, në digjitalizimin e sistemeve, në edukimin e kuadrove profesionale dhe në forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.

Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar.

Në planin ndërkombëtar ky vit e forcoi dukshëm pozitën e Kosovës në familjen evropiane dhe botërore të futbollit. Vizitat dhe bashkëpunimet me FIFA-n dhe UEFA-n, organizimi i ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë dhe përfshirja e përfaqësuesve tanë në strukturat e larta vendimmarrëse dëshmojnë për respektin dhe besimin që futbolli kosovar tashmë e ka fituar.

Ky vit ishte historik edhe në aspektin sportiv. Kombëtarja e Kosovës shënoi rezultate që na bënë krenarë të gjithëve, fillimisht duke u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe më pas duke siguruar për herë të parë ‘play-off’-in për Kupën e Botës 2026. Këto suksese, së bashku me ngritjen po ashtu historike në ranglistën e FIFA-s, janë dëshmi e punës së përbashkët, vizionit të qartë dhe besimit në potencialin e futbollistëve tanë.

Suksesi i FC Drita në Ligën e Konferencës, ku për herë të parë një klub kosovar arrin në ‘play-off’ për 1/8 e finales, si dhe arritja e FC Prishtina 01 në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve në futsall, e konfirmuan rritjen e cilësisë së futbollit vendor.

Të gjitha këto arritje nuk janë të rastësishme. Ato janë rezultat i përkushtimit të klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, stafit profesional, partnerëve tanë dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.

Të gjithëve u shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kontributin e dhënë gjatë këtij viti të jashtëzakonshëm.

Me këtë frymë suksesi dhe uniteti, po e mbyllim vitin 2025 me krenari dhe besim të plotë në të ardhmen.

Viti 2026 na pret me sfida të reja dhe projekte ambicioze, të cilat uroj t’i përballojmë me përkushtim, vizion dhe sukses.

Duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe harmoni në familjet tuaja, ju uroj mbarësi dhe suksese të reja në vitin 2026.

Uroj që 2026-ta të jetë vit i realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët dhe për herë të parë të jemi pjesë e Kupës së Botës.

Gëzuar!

Agim Ademi shpallet “Personazhi i Vitit” nga “Presheva Jonë” – 92% e qytetarëve vlerësojnë pozitivisht arritjet e futbollit të Kosovës në vitin 2025

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shpallur “Personazhi i Vitit 2025” nga mediumi Presheva Jonë, si rezultat i një sondazhi të gjerë publik që reflekton vlerësimin qytetar për punën dhe lidershipin e tij.

Në pyetjen:

Screenshot

Ky rezultat dëshmon qartë besimin e madh të opinionit publik ndaj drejtimit të Agim Ademit dhe progresit të vazhdueshëm të futbollit kosovar në arenën vendore dhe ndërkombëtare.

Gjatë vitit 2025, futbolli i Kosovës ka shënuar hapa të rëndësishëm përpara: rritje të standardeve organizative, përmirësim të infrastrukturës sportive, rezultate më konkurruese të përfaqësueseve dhe avancim të dukshëm të klubeve në garat evropiane. Këto arritje janë parë si fryt i një vizioni të qartë, përkushtimi institucional dhe menaxhimit profesional që karakterizon udhëheqjen e Ademit.

Sondazhi i realizuar nga “Presheva Jonë” jo vetëm që konfirmon sukseset sportive, por edhe rolin unifikues të Agim Ademit si figurë që ka ditur të bashkojë komunitetin sportiv dhe të ngrejë imazhin e futbollit të Kosovës përtej kufijve.

Shpallja e tij si Personazh i Vitit është një mirënjohje publike për një udhëheqës që ka kthyer futbollin në krenari kombëtare dhe ka vendosur themele të forta për zhvillimin e tij afatgjatë.

Ademi në koktejin e fundvitit me gazetarë: Ju i jepni zë e emocion sportit tonë, futbollit

Federata e Futbollit të Kosovës organizoi sonte koktejin tradicional të fundvitit me gazetare.

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fjalën e tij tha se gazetarët çdo ditë i japin zë, emocion dhe kuptim sportit tonë, futbollit.

“Gazetarët sportivë janë ura mes sportistëve dhe publikut, zëri i së vërtetës në momentet e vështira, kritikuesit që na bëjnë të reflektojmë dhe motivuesit me raportimet korrekte. Me profesionalizmin, pasionin dhe përkushtimin e tyre, ata e mbajnë sportin gjallë, e pasurojnë me histori dhe e bëjnë më të ndjeshëm për çdo tifoz”, ka theksuar ai.

Ademi ka thënë se ky takim i sotëm, në vigjilje të festave të fundvitit, ishte një moment mirënjohjeje për punën e palodhur që ata bëjnë.

“Pa ta, emocionet nuk do të kishin të njëjtën peshë, fitoret nuk do të kumbonin njësoj dhe sakrificat nuk do të merrnin vlerën që meritojnë. Falënderim i sinqertë për bashkëpunimin, për korrektësinë dhe për pasionin që sillni çdo ditë. Ju jeni pjesë thelbësore e sportit dhe e historisë së tij”, ka deklaruar Ademi.

Vëmendja e gjithë botës së futbollit në Washington ku hidhet shorti, edhe Kosova prezente

Në shortin e Kupës së Botës 2026, të premten në Washington, do të jenë të pranishëm përfaqësues të 64 shteteve, që do të jetë rekord. Shumë zyrtarë të FIFA-s insistojnë që sa më shumë përfaqësuese pjesëmarrëse, turneu më i madh i futbollit do të jetë më spektakolar.

FIFA e rriti numrin e përfaqësueseve pjesëmarrëse në Botërore nga 32 në 48, dhe vetëm 42 përfaqësuese deri tani e kanë siguruar Botërorin. Edhe gjashtë të tjera do të vendosen nëpërmjet plejofit që organizohet më 26 dhe 31 mars të vitit të ardhshëm. Në shortin që të premten nis në orën 18:00 në Washington, 22 prej përfaqësueseve do të luajnë në plejof.

Në Kupën e Botës, që organizohet nga 11 qershori deri më 19 korrik, do të luhen 104 ndeshje në vend të 64 ndeshjeve sa ishte më parë. Botërori në vitin e ardhshëm organizohet në vende të Amerikës së Jugut. 72 ndeshje do të luhen në 11 stadiume të futbollit amerikan NFL, përfshirë të gjitha nga faza e çerekfinaleve. Nga 13 ndeshje do të luhen në Meksikë dhe Kanada.

Finalja do të luhet në “MetLife Stadium” në New Jersey, ku do të ketë shfaqje për herë të parë pas pjesës së parë. Ndërkohë, ndeshja hapëse do të jetë në “Azteca Stadium” në Mexico City.

Përveç fituesve të 12 grupeve dhe vendeve të dyta, tetë përfaqësuese do të avancojnë nga vendi i tretë, në raundin e ri të nokautit me 32 përfaqësuese. Fituesi i Kupës së Botës do të luajë tetë ndeshje.

E udhëhequr nga Lionel Messi, i cili do të jetë 39-vjeçar gjatë turneut, Argjentina do të bëhej përfaqësuesja e parë që do ta fitonte Botërorin dy herë rresht, qëkur Brazili triumfoi në vitet 1958 dhe 1962.

Messi dhe 40-vjeçari i Portugalisë, Cristiano Ronaldo, pritet të luajnë në Botërorin e gjashtë.

Të paktën katër shtete janë kualifikuar për herën e parë

Kepi i Gjelbër, Kuraçao, Jordania dhe Uzbekistani, janë kualifikuar për herë të parë, ndërsa katër përfaqësuese të plejofit mund të bëhen debutuese – Shqipëria, Kosova, Kaledonia e Re dhe Suriname.

Kuraçao, territori autonom që ka popullsi prej 156 mijë banorësh brenda mbretërisë së Holandës, është shteti më i vogël nga popullsia që ka siguruar kualifikimin.

Haiti është kualifikuar për herë të parë që prej vitit 1974, dhe Austria, Norvegjia dhe Skocia për herë të parë që prej vitit 1998.

“Jam pak i shqetësuar”, ka thënë ish-portieri i SHBA-së, Kasey Keller, tani analist në “ESPN”. “Kemi folur për këtë kur u zgjerua nga 24 përfaqësuese, që disa prej ekipeve që hyjnë në Kupë të Botës nuk janë në nivelin e kënaqshëm dhe tani janë 48 përfaqësuese. Mendoj se do të ketë përfaqësuese që do të hasin shumë në vështirësi”.

Rreth 2 milionë bileta të shitura

FIFA ka vendosur çmim fillestar deri në 6,730 dollarë për një biletë, bashkë me 175 dollarë për vend parkingu, dhe 73,200 dollarë për pako të mikpritjes – nga 25 dollarë në 475 dollarë për turneun 1994 në SHBA.

Afro 2 milionë bileta janë shitur, ndonëse pritjet ishin që të shiten më shumë se 6 milionë, ka thënë trupi qeverisës.

“Nuk jam i sigurt nëse synimi kryesor i FIFA-s është që ta rritë sportin në Amerikë”, ka thënë ish-portieri i SHBA-së, Tony Meola.

Vendimtare mund të jetë për përfaqësueset nëse do të luajnë në stadiume të hapura, ku temperaturat e larta gjatë verës mund të luajnë rol të madh. Vetëm katër prej 11 stadiumeve në SHBA kanë çatia.

Në Botërorin për Klube në këtë vit në SHBA, gjashtë ndeshje janë shtyrë për shkak të motit për totalin e tetë orëve e 29 minutave.

Orari i ndeshjeve do të bëhet i ditur të shtunën. Temperatura mesatare në mesditë në 30 vjetët e fundit në “East Rutherford” më 19 korrik ka qenë 28 gradë, ka shkruar tutje “Associated Press”.

Trump pjesëmarrës në short

Në ceremoninë e shortit për Kupën e Botës 1994 në Las Vegas kanë performuar Stevie Wonder, Barry Manilow, James Brown dhe Vanessa Williams, si dhe komediani Robin Williams.

Por ky short duket të jetë i ngjashëm me ceremoninë e dhjetorit 2017 në Moskë, që u hap nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti Donald Trump, i cili ishte në mesin e lojtarëve të Chelseat kur morën çmimet pas triumfit në Botërorin e Klubeve në këtë verë, pritet të jetë në short bashkë me presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum dhe kryeministrin e Kanadasë.

Yjet e pensionuar të sportit, Tom Brady, Shaquille O’Neal, Wayne Gretzky e Aaron Judge, do të jenë në skenë për short, bashkë me Rio Ferdinandin e Samantha Johnsonin. Nuk do të ketë përfaqësues të Meksikës.

Të pranishëm do të jenë edhe Heidi Klum, Kevin Hart, Danny Ramirez, Nicole Scherzinger, Andrea Bocelli dhe Robbie Williams. Grupi muzikor, “Village People”, do ta performojë këngën e pëlqyer të Trumpit, “Y.M.C.A”, dhe FIFA më pas do ta japë çmimin e saj për paqen, që me shumë gjasë do t’i takojë Trumpit. Eli Manning do të jetë nikoqire e tapetit të kuq.

Përfaqësueset e ndara nëpër vazo

Vazo 1: Kanadaja, Meksika, SHBA, Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika, Gjermania.

Vazo 2: Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Afrika e Jugut, Ekuadori, Austria, Australia.

Vazo 3: Norvegjia, Panamaja, Egjipti, Algjeria, Skocia, Paraguai, Tunizia, Bregu i Fildishtë, Uzbekistani, Katari, Arabia Saudite, Afrika e Jugut.

Vazo 4: Jordania, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti, Zelanda e Re, fituesi i plejofit A të UEFA-s (Italia, Irlanda e Veriut, Uellsi, Bosnjë-Hercegovina), fituesi i plejofit B të UEFA-s (Ukraina, Suedia, Polonia, Shqipëria), fituesi i plejofit C të UEFA-s (Turqia, Rumania, Sllovakia, Kosova), fituesi i plejofit D të UEFA-s (Danimarka, Maqedonia e Veriut, Republika e Çekisë, Irlanda), fituesi i plejofit 1 të FIFA-s (Kaledonia e Re, Xhamajka, Republika Demokratike e Kongos), fituesi i plejofit 2 të FIFA-s (Bolivia, Suriname, Iraku).

Qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet

Në total, 16 qytete do të jenë organizatore të ndeshjeve, 11 prej të cilave në SHBA: Seattle, San Francisco, Los Angeles, Dallas, Houston, Kansas City, Philadelphia, Atlanta, Miami, Boston dhe New York. Meksika do të përfaqësohet nga Monterrey, Guadalajara dhe Mexico City, ndërsa Vancouveri dhe Toronto do të jenë qytetet e Kanadasë. Vendet do të ndahen në tri zona (Perëndim, Qendër dhe Lindje). Secila përfaqësuese do të luajë ndeshjet preliminare në vetëm njërën zonë.

Presidenti i Federatës zvicerane reagon për humbjen e talentëve drejt Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Zvicrës, Peter Knäbel, ka komentuar largimin e dy prej talenteve më premtues të futbollit zviceran, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët zgjodhën të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për televizionin zviceran SRF, Knäbel theksoi se federata ka bërë gjithçka të mundur për t’i mbajtur dyshen në përfaqësuesen helvete.

“Ne bëmë gjithçka. E kam vizituar Leon Avdullahun në Hoffenheim, së bashku me Murat Yakin, por vendimi i tij kishte qenë tashmë i marrë.”

Sipas tij, rasti i Avdullahut dhe Hajdarit ka shërbyer si një sinjal i qartë për rëndësinë e çështjes së lojtarëve me origjinë të dyfishtë. Knäbel zbulon se rreth 70% e lojtarëve në akademitë zvicerane janë me dy shtetësi, çka e rrit konkurrencën ndërkombëtare midis federatave për sigurimin e talenteve.

Presidenti i futbollit zviceran beson se një vendim i hershëm nga ana e lojtarëve do të ishte në dobi të të gjithëve — si të federatave ashtu edhe të vetë futbollistëve. Megjithatë, ai e konsideron të vështirë përcaktimin e një afati të detyrueshëm.

“Një vendim i hershëm do t’i ndihmonte të dyja palët. Por është e vështirë të përcaktosh një datë fikse.”

Rasti i dy talenteve që zgjodhën Kosovën vazhdon të hapë debat në Zvicër, ku gjithnjë e më shumë futbollistë me origjinë të huaj përfaqësojnë potencial të madh për disa kombëtare njëkohësisht. Federata zvicerane duket e vendosur të forcojë strategjinë e saj për të siguruar që lojtarët e rritur në vend të vazhdojnë me fanellën helvete — por gara me federata të tjera vetëm sa po ashpërsohet.

Favre: Agim Ademi është shumë aktiv dhe mikpritës, vlerësohet lart nga UEFA dhe federatat tjera

Në edicionin e fundit të FFK Podcast, Thierry Favre, drejtor i programit HatTrick dhe drejtor i zhvillimit të federatave kombëtare në UEFA, foli për kontributin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe pritjen që delegacionet ndërkombëtare marrin në Kosovë.

“Presidenti juaj Agim Ademi është shumë i vlerësuar në UEFA dhe federata të tjera. Ai vlerësohet shumë, është shumë aktiv dhe gjithmonë i mikpritës. Ai i mirëpret të gjitha delegacionet dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për imazhin e federatës”, tha Favre.

Ai shtoi se këtë përshtypje e kishte marrë edhe gjatë mbledhjes së Komitetit HatTrick në mars, ku të gjithë pjesëmarrësit ishin të magjepsur nga mikpritja, shërbimi i jashtëzakonshëm i ofruar dhe puna e bërë në terren nga FFK

Gjithashtu, ai përmendi ndeshjet që Kosova i zhvilloi në shtëpi kundër Anglisë dhe Ishujve Faroe, në të cilat ai ishte i pranishëm, e ku tha se anglezët ishin fillimisht të rezervuar për shkak të disa incidenteve në Bullgari dhe Malin e Zi, por u ndjenë të mirëpritur dhe të sigurt gjatë qëndrimit në Kosovë.