14.1 C
Pristina
E premte, 27 Shkurt, 2026
Home Blog

Dyshime për ndeshjen Llapi-Drita, Prokuroria nis hetimet

Hetimet në përballjen mes Llapit dhe Dritës kanë nisur, këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës Kaltrina Shala për Telegrafin.

Bëhet fjalë për sfidën që Llapi e fitoi me rezultat 2-0 në “Ramiz Sadiku” në kuadër të Superligës së Kosovës.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës Shala për Telegrafi shkurtimisht ka konfirmuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë nisur hetimet.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë pranuar informata në lidhje me këtë rast.

Ju informojmë se Prokurori i shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi”, tha ajo.

Çfarë ndodhi?

Shumë analistë vazhdimisht kanë vendosur pikëpyetje lidhur me dy ndeshjet që u zhvilluan mes Llapit dhe Dritës këto javët e fundit.

Më 10 shkurt, Llapi regjistroi një fitore të madhe ndaj Dritës në kuadër të Kupës së Kosovës, ndërsa vetëm 12 ditë më vonë, pësoi humbje prej 0-2 në kampionat.

Në bazë të deklaratave të shumë analistëve, dy klubet dyshohet se kanë bashkëpunuar, duke qenë se Llapit i nevojitet Kupa për t’u kualifikuar në Evropë ndërsa Drita mbetet në garë për titullin kampion./Telegrafi/

Vedat Muriqi bëhet me trajner te ri, ish lojtari i Man City e merr drejtimin e Majorkës

RCD Mallorca ka zyrtarizuar emërimin e Martin Demichelis si trajner të ri të ekipit. Strategu argjentinas ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit aktual në La Liga, me opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër.

Klubi e bëri të ditur lajmin përmes rrjeteve sociale me mesazhin, se argjentinasi ka marr drejtimin e skuadrës, ku luan edhe Vedat Muriqi.

“Martín Demichelis, trajneri i ri i RCD Mallorca. Trajneri argjentinas nënshkruan deri në fund të sezonit me opsion për një tjetër. Mirë se erdhe në shtëpi, Martín”, shkruan klubi spanjoll.

Ish-trajneri i River Plate vjen pas disa ditësh negociatash intensive për të zëvendësuar Jagoba Arrasate, i cili u shkarkua pas një serie rezultatesh negative që e lanë Mallorcan në vendin e 18-të, vetëm një pikë mbi zonën e rënies nga kategoria.

Demichelis merr menjëherë drejtimin e skuadrës, me objektivin e qartë për të siguruar mbijetesën në ndeshjet e mbetura të sezonit.

Një nga pikat më të forta të skuadrës këtë sezon ka qenë forma e shkëlqyer e Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar po kalon një sezon fantastik, duke realizuar 16 gola në kampionat dhe duke qenë arma kryesore ofensive e ekipit.

Agim Ademi takohet me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në prag të Kongresit të 50-të

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është ritakuar në Bruksel me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në prag të Kongresit të 50-të të UEFA-s dhe tërheqjes së shortit për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.

Gjatë takimit, i cili u zhvillua në një atmosferë miqësore, presidenti Çeferin e uroi Ademin për mandatin e ri në krye të FFK-së, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në drejtimin e futbollit kosovar.

Nga ana e tij, Ademi e falënderoi presidentin e UEFA-s për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ndaj tij personalisht, si dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në projektet e ardhshme.

Presidenti i FFK-së shprehu mirënjohje për besimin dhe vizionin e përbashkët me UEFA-n për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të futbollit në Kosovë.

Screenshot

Barcelona ‘frikësohet’ Vedat Muriqit, Flick: Po kalon në sezon të shkëlqyer

Të shtunën, Barcelona do të përballet me Mallorcan, pjesë e të cilës është edhe sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi.

Muriqi po shkëlqen në La Liga këtë edicion, duke shënuar 14 gola me fanellën e Mallorcas.

Në konferencë për shtyp, para ndeshjes të së shtunës, Hansi Flick foli edhe për Muriqin, ndër të tjerash.

Hansi Flick u pyet nëse ishte më i shqetësuar për rastet që skuadra po humbte në sulm apo për rastet që po lejonte në mbrojtje.

Ndeshjet e fundit kanë parë Barcelonën të dominojë lojën pa e shfrytëzuar mjaftueshëm këtë në rezultat.

“Jam shumë i kënaqur me mënyrën si po luajmë futboll. Sigurisht, duhet të jemi më të përqendruar para portës, por skuadra është në rrugën e duhur. Kundër Mallorcës duhet të kemi kujdes me Muriqin, i cili po kalon një sezon të shkëlqyer”, tha ai.

Muriqi dhe Mallorca momentalisht janë në vendin e 14-të në La Liga, me 24 pikë të tubuara, teksa Barcelona është e para me 55 pikë – një më shumë se Real Madridi në vendin e dytë.

Sejdini uron Ademin: Shpresojë që ky mandat të sjellë zhvillim të mëtejmë të futbollit

Ish kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muamed Sejdini ka uruar Agim Ademin për rizgjedhjen si kryetar i FFK-së.Sejdini i uroi suksese Ademit, teksa tha se uron që ky mandat të sjellë zhvillim të metejmë të futbollit, shkruan GazetaBlic Sport.
Ja postimi i Sejdinit:“Urime Agim Ademi për mandatin e ri në krye të FFK-së.

Me kënaqësi të madhe prita epilogun e Kuvendit të Rregullt zgjedhor të FFK-së dhe me këtë rast, mikut tim Agim Ademi i uroj rizgjedhjen dhe i dëshiroj suksese në vazhdim të punës në drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Shpresoj dhe besoj që ky mandat i ri të sjellë zhvillim të mëtejmë të futbollit, forcim të institucioneve sportive dhe rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare.Futbolli ka nevojë për stabilitet, bashkëpunim dhe vizion të qartë.
Suksese në përgjegjësitë që keni përpara”, shkroi Sejdini.

Edhe presidenti i UEFA-s i dërgon urime Ademit për mandatin e tretë në FFK

Edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin ka uruar presidentin Agim Ademi për rizgjedhjen në krye të FFK-së.

Ai ka vlerësuar progresin e futbollit kosovar si dhe momentin historik të Kombëtares së Kosovës.

Pak më parë, Federata publikoi edhe letrën e presidentit të FIFA-s, drejtuar Ademit për mandatin e tij të tretë.

Screenshot

Agim Ademi rizgjidhet president i FFK-së

Agim Ademi është rizgjedhur president i Federatës së Futbollit të Kosovës edhe për një mandat katër vjeçar.

Sot u mbajt Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, teksa Ademi ishte i vetmi kandidat.

Ai mori 52 vota nga 52 delegatët e pranishëm.

Gafurr Kabashi: Futbollit i duhet ende Agim Ademi në krye të FFK-së

Nënkryetari i parë i Federatës së Futbollit🇽🇰 të pavarur, Gafurr Kabashi: Futbollit i duhet ende Agim Ademi në krye të FFK-së.

“Kosova ka ecur mjaft mirë dhe shpejt në vitet e fundit. Në kombëtare janë afruar lojtarë të mirë dhe është bërë një zgjedhje e qëlluar e selektorit Foda. Jemi shumë afër kualifikimit në Kampionatin Botëror. Ekipet tona po kanë paraqitje të mira në Evropë, falë një gare të mirëorganizuar dhe korrekt në kampionatin e Kosovës. Jam i fascinuar me punimet në kampin nacional, shtëpinë e federatës dhe po ashtu me shtrirjen e fushave me bari sintetik anë e mbanë vendit. Këto janë vetëm disa nga punët e mira që, pa dyshim, meritat kryesore i ka kryetari Ademi”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Më pas, Kabashi, i cili nga gjeneratat më të moshuara mbahet mend edhe si futbollist dhe trajner i spikatur, kërkon nga Ministria e Sportit që të ndihmojë në ndërtimin e stadiumeve moderne dhe të mos ndërhyjë në autonominë e FFK-së.

Kabashi, në fund, bën thirrje që Agim Ademi të përkrahet fuqishëm nga delegatët në Kuvendin Zgjedhor të 5 shkurtit.

Kur mungesa e numrave shitet si ‘luftë për demokraci’ në futbollin e Kosovës

Shkruan: Fehmi Sejdijaj

Deklarimi i fundit i ish-sekretarit të Federata e Futbollit të Kosovës, Taulant Hodaj, nuk është as i rastësishëm dhe as i sinqertë. Ai paraqitet si shqetësim për “demokracinë sportive”, por në thelb është një përpjekje e qartë për pozicionim personal, delegjitimim institucional dhe bllokim të proceseve të futbollit të Kosovës, në momentin kur ai vetë nuk i ka numrat dhe mbështetjen reale për të garuar.

Është paradoksale që një ish-zyrtar i lartë i FFK-së, i cili për vite ka qenë pjesë e sistemit që sot e quan “të jashtëligjshëm”, tani sillet sikur nuk ka pasur asnjë rol, përgjegjësi apo përfitim nga ai sistem. Nëse parregullsitë kanë qenë kaq serioze, pse nuk janë ngritur kur ai ishte pjesë vendimmarrëse e federatës? Heshtja e atëhershme dhe zhurma e sotme flasin qartë për motivin real: ambicie personale të vonuara.

Tentativa për ta shpallur Kuvendin Zgjedhor të 5 shkurtit si të paligjshëm, duke u fshehur pas interpretimeve selektive të ligjit dhe duke e instrumentalizuar Ministrinë, nuk është luftë për demokraci por është strategji për bllokim. Futbolli i Kosovës nuk mund të mbahet peng sa herë që një individ nuk i plotëson kushtet apo nuk arrin të sigurojë përkrahje të mjaftueshme.

Veçanërisht shqetësuese është manipulimi i qëndrimeve të UEFA dhe FIFA, duke i përdorur ato si alibi për një narrativ personal. Faktet janë të qarta: institucionet ndërkombëtare të futbollit vazhdimisht kanë theksuar nevojën për mos-ndërhyrje politike dhe stabilitet institucional. Çdo tentativë për t’i futur zgjedhjet e FFK-së në një konflikt juridik dhe politik e rrezikon drejtpërdrejt pozitën ndërkombëtare të futbollit të Kosovës – një çmim që nuk duhet paguar për ambicie individuale.

Po ashtu, pretendimi se kriteret e kandidimit janë “antidemokratike” tingëllon i zbrazët kur vjen nga dikush që për vite ka qenë pjesë e hartimit dhe funksionimit të atyre strukturave. Demokracia nuk ndërtohet duke e shpallur procesin të pavlefshëm vetëm sepse rezultati nuk të konvenon.

Futbolli i Kosovës është ndërtuar me shumë sakrificë: nga klubet, nga komuniteti sportiv, nga institucionet dhe nga mbështetja e UEFA-s dhe FIFA-s. Ta vësh gjithçka në pikëpyetje, të krijosh pasiguri, përçarje dhe tension institucional në prag të zgjedhjeve, nuk është reformë – është shkatërrim i asaj që është ndërtuar me vite.

Ndryshimi, nëse kërkohet sinqerisht, bëhet brenda rregullave, në kohën e duhur dhe me respekt për institucionet, jo përmes presionit publik, viktimizimit personal dhe tentativave për ta futur futbollin në krizë juridike.

Futbolli i Kosovës ka nevojë për stabilitet, vazhdimësi dhe zhvillim – jo për eksperimente personale dhe ambicie të pakontrolluara që rrezikojnë gjithçka që është ndërtuar deri më sot.

Taulant Hodaj, pa mandat, pa mbështetje, pa kredibilitet – shpikës i “krizës”

0

Në futbollin e Kosovës nuk mungon ligjshmëria, mungon sinqeriteti i disa individëve që për vite kanë jetuar në hijen e FFK-së dhe sot përpiqen të shesin veten si “reformatorë”.

Taulant Hodaj nuk është ekspert ligjor i sportit. As nuk është zyrtar ligjor i asnjë institucioni sportiv. Nuk përfaqëson as klube, as federata, as ndonjë strukturë të futbollit të organizuar. Kontakti i tij i vetëm real me statut, rregullore dhe qeverisje sportive ka qenë përmes FFK-së, pikërisht institucionit që sot përpiqet ta delegjitimojë.

Reagimi i tij i sotëm ishte i lodhtë, pasi UEFA e FIFA ia bëri të qartë atij dhe gjithë të tjerëve se nuk lejon ndërhyrje të palëve të treta në FFK. Pretendimi i tij për “garë të mbyllur” është manipulim i pastër. Gara është e hapur edhe sot: çdo kandidat që siguron 15 nënshkrime nga anëtarët e FFK-së mund të kandidojë. Kjo ka qenë rregull edhe në të kaluarën dhe askush nuk është penguar të hyjë në garë. Nëse dikush nuk arrin t’i bindë 15 anëtarë, problemi nuk është sistemi – problemi është kandidati.

Pretendimi se kriteri i nënshkrimeve është “diskriminues” është absurd. Në çdo organizatë serioze, kandidimi kërkon mbështetje minimale reale. Ndryshe, federata do të shndërrohej në listë dëshirash personale, jo në institucion.

Në vend të retorikës boshe për demokraci, Hodaj le të tregojë diçka konkrete:

Cilat janë klubet që e mbështesin?

Nëse ekzistojnë, nënshkrimet merren edhe sot. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë po flasim për një kandidaturë virtuale, jo reale.

Problemi themelor nuk është FFK-ja, as statuti, as procesi zgjedhor. Problemi është se disa individë janë mësuar të jenë pjesë e strukturave, por kurrë të marrin përgjegjësi reale përmes votës. Kur nuk arrijnë të mbledhin mbështetje, e quajnë procesin “të padrejtë”. Kur nuk kanë bazë, e quajnë sistemin “të kapur”.

Futbolli nuk ka nevojë për viktima politike, as për martirë të rremë. Ka nevojë për njerëz që punojnë parreshtur për futbollin dhe komunitetin e futbollit dhe që dinë të fitojnë besimin e klubeve përmes besimit e punës, jo për njerëz që, pasi humbin relevancën, fillojnë t’i sulmojnë institucionet që i kanë mbajtur gjallë.

Në futboll, si në jetë, mbështetja nuk shpiket në Facebook, ajo fitohet në terren. Dhe kush nuk e fiton dot, nuk ka të drejtë morale ta shpallë veten si alternativë ‘reformatore’.

Prandaj, nuk është mirë ta përlyesh futbollin dhe komunitetin e futbollit me rrenat dhe pabesinë tënde të shprehur.

Trathtar lind, nuk bëhesh, vetëm mund të kalitesh gjatë jetës. E ‘avokati’ duket se është i mësuar të ecën me rrena, dallavere dhe që ecjen e bën me këmbë të huaja./GazetaArena