Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në urimin e tij për vitin 2026, ka thënë se viti që po e lëmë pas (2025) do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi.
“Gjatë këtij viti, FFK ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, në digjitalizimin e sistemeve, në edukimin e kuadrove profesionale dhe në forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.
Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar”, ka shkruar Ademi.
Postimi i plotë:
Të dashur futbollistë/e, trajnerë/e, gjyqtarë/e, drejtues klubesh, tifozë, partnerë, komunitet i futbollit, qytetarë të Republikës së Kosovës kidhe bashkatdhetarë,
Në prag të ndërrimit të motmoteve, është momenti i duhur për të reflektuar me krenari mbi arritjet dhe punën e bërë gjatë këtij viti.
Viti 2025 do të mbetet një nga kapitujt më të rëndësishëm në historinë e futbollit të Kosovës. Ishte një vit pune intensive, vendimesh strategjike dhe arritjesh konkrete që e konfirmuan qartë drejtimin e duhur në të cilin po ecën Federata e Futbollit e Kosovës dhe futbolli ynë në përgjithësi.
Gjatë këtij viti, FFK ka bërë hapa të mëdhenj në zhvillimin e infrastrukturës sportive, në digjitalizimin e sistemeve, në edukimin e kuadrove profesionale dhe në forcimin e projekteve zhvillimore në të gjitha nivelet.
Investimet në fusha futbolli, në kampet nacionale, në projektet shkollore dhe në sigurinë shëndetësore të lojtarëve kanë krijuar baza të qëndrueshme për të ardhmen e futbollit kosovar.
Në planin ndërkombëtar ky vit e forcoi dukshëm pozitën e Kosovës në familjen evropiane dhe botërore të futbollit. Vizitat dhe bashkëpunimet me FIFA-n dhe UEFA-n, organizimi i ngjarjeve të rëndësishme ndërkombëtare në Prishtinë dhe përfshirja e përfaqësuesve tanë në strukturat e larta vendimmarrëse dëshmojnë për respektin dhe besimin që futbolli kosovar tashmë e ka fituar.
Ky vit ishte historik edhe në aspektin sportiv. Kombëtarja e Kosovës shënoi rezultate që na bënë krenarë të gjithëve, fillimisht duke u ngjitur në Ligën B të Ligës së Kombeve dhe më pas duke siguruar për herë të parë ‘play-off’-in për Kupën e Botës 2026. Këto suksese, së bashku me ngritjen po ashtu historike në ranglistën e FIFA-s, janë dëshmi e punës së përbashkët, vizionit të qartë dhe besimit në potencialin e futbollistëve tanë.
Suksesi i FC Drita në Ligën e Konferencës, ku për herë të parë një klub kosovar arrin në ‘play-off’ për 1/8 e finales, si dhe arritja e FC Prishtina 01 në 1/16 e finales së Ligës së Kampionëve në futsall, e konfirmuan rritjen e cilësisë së futbollit vendor.
Të gjitha këto arritje nuk janë të rastësishme. Ato janë rezultat i përkushtimit të klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, stafit profesional, partnerëve tanë dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë.
Të gjithëve u shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kontributin e dhënë gjatë këtij viti të jashtëzakonshëm.
Me këtë frymë suksesi dhe uniteti, po e mbyllim vitin 2025 me krenari dhe besim të plotë në të ardhmen.
Viti 2026 na pret me sfida të reja dhe projekte ambicioze, të cilat uroj t’i përballojmë me përkushtim, vizion dhe sukses.
Duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi dhe harmoni në familjet tuaja, ju uroj mbarësi dhe suksese të reja në vitin 2026.
Uroj që 2026-ta të jetë vit i realizimit të ëndrrës sonë të përbashkët dhe për herë të parë të jemi pjesë e Kupës së Botës.
Gëzuar!
