Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përmbylli vizitat e tij te klubet kosovare që ndodhen në Turqi, duke takuar nga afër ekipet e FC Ferizaj, FC Vushtrria dhe FC Dukagjini.
Në postimin e tij në Facebook, Ademi theksoi se në secilin klub vërehej përkushtim i madh, staf teknik i fokusuar dhe lojtarë të etur për sukses. “Tri klube, tri histori, por një qëllim i përbashkët: punë, përkushtim dhe besim në të ardhmen”, shkroi ai.
Kryetari u shpreh se stërvitjet janë intensive, organizimi po përmirësohet çdo ditë, ndërsa dëshira për të dhënë maksimumin është e dukshme tek secila skuadër.
Ademi i përgëzoi klubet për punën e deritanishme dhe i motivoi që të vazhdojnë rrugën me pasion dhe punë të ndershme, pasi sipas tij, ajo gjithmonë gjen shpërblimin e saj.
“Futbolli është emocion që ndërtohet ditë pas dite; në fushë, në zhveshtore dhe në zemrat e atyre që besojnë pa u dorëzuar. E ardhmja ndërtohet sot!”, përfundoi kryetari i FFK-së.
