Në një deklaratë të fundit për opinionin publik, Bylbyl Sokoli ka pohuar se angazhimi i tij si trajner i Klubit Futbollistik “Drenica” nuk ka përbërë konflikt interesi me funksionin e tij si deputet, duke u mbështetur në pretendimin se klubi është i regjistruar si SHPK.
Por faktet flasin ndryshe: FC “Drenica” nuk është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, por si Organizatë Joqeveritare (OJQ). Ky dallim ligjor e rrëzon pretendimin e Sokolit dhe e shndërron deklaratën e tij në një përpjekje për t’i hedhur opinionit “hi syve”, me synimin për të dalë “i pastër” para ligjit, shkruan Gazeta Arena.
Më shqetësuese është fakti se “Profa”, duke shfrytëzuar statusin e tij politik dhe në koordinim të plotë me avokatin Taulant Hodaj, po tenton të shantazhojë institucionin kryesor të futbollit në vend – FFK-në. Në prag të procesit të ri zgjedhor, ata po hedhin në opinion deklarata të paqëndrueshme, duke nxitur ndërhyrjen e politikës në një segment që duhet të mbetet i pavarur dhe profesional.
FFK është institucion i futbollit kosovar, i ndërtuar mbi punën e qindra profesionistëve ndër vite. Asnjë individ nuk ka të drejtë ta përdorë për interesa personale, e aq më pak ta shantazhojë për qëllime politike.
