Në futbollin e Kosovës nuk mungon ligjshmëria, mungon sinqeriteti i disa individëve që për vite kanë jetuar në hijen e FFK-së dhe sot përpiqen të shesin veten si “reformatorë”.
Taulant Hodaj nuk është ekspert ligjor i sportit. As nuk është zyrtar ligjor i asnjë institucioni sportiv. Nuk përfaqëson as klube, as federata, as ndonjë strukturë të futbollit të organizuar. Kontakti i tij i vetëm real me statut, rregullore dhe qeverisje sportive ka qenë përmes FFK-së, pikërisht institucionit që sot përpiqet ta delegjitimojë.
Reagimi i tij i sotëm ishte i lodhtë, pasi UEFA e FIFA ia bëri të qartë atij dhe gjithë të tjerëve se nuk lejon ndërhyrje të palëve të treta në FFK. Pretendimi i tij për “garë të mbyllur” është manipulim i pastër. Gara është e hapur edhe sot: çdo kandidat që siguron 15 nënshkrime nga anëtarët e FFK-së mund të kandidojë. Kjo ka qenë rregull edhe në të kaluarën dhe askush nuk është penguar të hyjë në garë. Nëse dikush nuk arrin t’i bindë 15 anëtarë, problemi nuk është sistemi – problemi është kandidati.
Pretendimi se kriteri i nënshkrimeve është “diskriminues” është absurd. Në çdo organizatë serioze, kandidimi kërkon mbështetje minimale reale. Ndryshe, federata do të shndërrohej në listë dëshirash personale, jo në institucion.
Në vend të retorikës boshe për demokraci, Hodaj le të tregojë diçka konkrete:
Cilat janë klubet që e mbështesin?
Nëse ekzistojnë, nënshkrimet merren edhe sot. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë po flasim për një kandidaturë virtuale, jo reale.
Problemi themelor nuk është FFK-ja, as statuti, as procesi zgjedhor. Problemi është se disa individë janë mësuar të jenë pjesë e strukturave, por kurrë të marrin përgjegjësi reale përmes votës. Kur nuk arrijnë të mbledhin mbështetje, e quajnë procesin “të padrejtë”. Kur nuk kanë bazë, e quajnë sistemin “të kapur”.
Futbolli nuk ka nevojë për viktima politike, as për martirë të rremë. Ka nevojë për njerëz që punojnë parreshtur për futbollin dhe komunitetin e futbollit dhe që dinë të fitojnë besimin e klubeve përmes besimit e punës, jo për njerëz që, pasi humbin relevancën, fillojnë t’i sulmojnë institucionet që i kanë mbajtur gjallë.
Në futboll, si në jetë, mbështetja nuk shpiket në Facebook, ajo fitohet në terren. Dhe kush nuk e fiton dot, nuk ka të drejtë morale ta shpallë veten si alternativë ‘reformatore’.
Prandaj, nuk është mirë ta përlyesh futbollin dhe komunitetin e futbollit me rrenat dhe pabesinë tënde të shprehur.
Trathtar lind, nuk bëhesh, vetëm mund të kalitesh gjatë jetës. E ‘avokati’ duket se është i mësuar të ecën me rrena, dallavere dhe që ecjen e bën me këmbë të huaja./GazetaArena
