Skuadra e Dritës ka arritur marrëveshje me trajnerin Zekirija Ramadani për ta vazhduar kontratën edhe për dy vite tjera.
Kështu ka raportuar skuadra gjilanase të martën në rrjetet sociale.
Ramadani po e udhëheq Dritën këtë edicion drejt titullit të kampionit.
“Në ambientet e klubit në prani të drejtorit gjeneral z. Feti Murseli është zyrtarizuar vazhdimi i bashkëpunimit me trajnerin Zekirija Ramadani edhe për dy vite të tjera.
Besimi i klubit ndaj trajnerit Ramadani vazhdon të mbetet i palëkundur në atë që klubi ka projektuar që nga dita e parë kur Zeka iu bashkua ekipit tonë”, ka shkruar Drita.
Drita është lidere në elitën e futbollit kosovar dhe është në rrugë shumë të mirë për ta fituar titullin.
47-vjeçari Ramadani u emërua trajner i Dritës në nëntor të vitit 2023.
Deri më tani e ka drejtuar Dritën në 62 ndeshje. Ka shënuar 38 fitore, 13 barazime dhe 11 humbje.