Ikona e folklorit shqiptar, Ymer Gashi-Mleqani sot nisi ditën më ndryshe se zakonisht. I madhi i vëllëzerëve nga bijtë e Sef Mleqanit, vizitoi selinë e futbollit kosovar, përkatëisht Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi!
Sporti, kultura e arti gjithnjë mbetën të pandara, derisa edhe në të kaluarën nuk kanë munguar bashkëpunimet dhe kontaktet e akterëve të këtyre fushave, shkruan Albanian News. Ndërkaq takimin me Gashin, e ka njoftuar edhe i pari i futbollit kosovar, Ademi:
Sot në zyrën time pata kënaqësinë të mirëpres artistin e shquar të folklorit, Ymer Sefë Mleqani, i njohur edhe si vëllai i madh i grupit të njohur të rapsodëve ‘Bijtë e Sefës’. Kjo familje është një simbol frymëzimi për atdhedashuri dhe patriotizëm, që nga kohët e babait të tyre, Sefë Mleqani, i cili me këngët e tij ngjalli ndjenja kombëtare dhe krenari shqiptare.
Në të njëjtin shpirt atdhetar, familja e tyre ka dhënë një kontribut të madh edhe gjatë luftës së fundit të UÇK-së, ku për lirinë e Kosovës u flijua dëshmori i kombit Beqir Gashi-Mleqani, po ashtu një rapsod i njohur dhe i respektuar. Gjatë luftës, shtëpia e tyre u granatua, duke shkaktuar plagosjen e disa anëtarëve dhe humbjen tragjike të disa vëllezërve të tjerë.
Krenohem dhe ndihem i nderuar që njoha nga afër këtë familje, që përmes artit dhe sakrificës së tyre, janë bërë shembull i vërtetë i dashurisë për atdheun.