Llapi dhe Ferizaj kanë ndarë pikët pas një ndeshjeje të gjallë në stadiumin e Podujevës, që përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.
Në një pjesë të parë të mbushur me raste, vendasit krijuan presion përmes Ardit Tahirit, Blend Baftiu dhe Arianit Hasanit, por portieri i Ferizajt mbeti i pathyeshëm. Në anën tjetër, mysafirët iu afruan golit me tentimet e Betim Haxhimusës dhe Erion Sadriut, por pa rezultat konkret.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithë ritmin e lartë dhe rastet e shumta.
Pas pushimit, Ferizaj mori epërsinë në minutën e 61-të, kur Antonio Ilieski dha një asistim të shkëlqyer për Erion Sadriun, i cili e dërgoi topin në rrjetë me një përfundim klinik.
Megjithatë, avantazhi i mysafirëve nuk zgjati shumë. Vetëm tetë minuta më vonë, Llapi fitoi një penallti, të cilën e shndërroi në gol Ardit Tahiri për të rikthyer baraspeshën.
Pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave në minutat e mbetura, rezultati nuk ndryshoi dhe ndeshja u mbyll 1-1.
Pas këtij rezultati, Llapi mbetet në pozitën e tetë me 41 pikë, ndërsa Ferizaj mban vendin e katërt me 49 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Llapi do të udhëtojë drejt Suharekës, ndërsa Ferizaj do të përballet në shtëpi me Ballkanin.