20.7 C
Pristina
E hënë, 8 Shtator, 2025
Home Blog Page 12

Ron Raçi “Ylli i Javës”: Objektivi ynë është dalja në Evropë

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 26-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Ron Raçi.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Avni Shala, Enes Shosholli dhe Vllaznim Visoka. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e njëzet e gjashtë t’i takojë mbrojtësit Raçi, i cili me golin e tij i mundësoj Prishtinës të arkëtoj tre pikë në fitoren kundër FC Feronikeli 74, e cila përfundoi me rezultat 2:1.

Pasi mori këtë çmim, Roni u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Kemi pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen, e cila ishte mjaft e rëndësishme.

E dimë që pas një kohe të gjatë nuk kemi qenë mirë me rezultate, por shpresoj që kjo fitore të na japë më shumë motiv dhe të jetë një pikë kthese për rezultatet pozitive.

Objektivi ynë është dalja në Evropë dhe shpresoj që me këtë formë mund ta arrijmë. Jam shumë i lumtur për golin dhe që arrita ta ndihmoj ekipin, mirëpo edhe më i lumtur jam për tre pikët. Merita shkon për bashkëlojtarët e mi dhe stafin, sepse pa ta kjo fitore nuk do të ishte e mundur.

Një falënderim i veçantë për Federatën e Futbollit dhe komisionin që më vlerësuan me këtë çmim, i cili është një motiv shtesë për mua. Mua më mbetet të punoj fort, të ndihmoj ekipin aq sa mundem dhe të vazhdojmë drejt objektivave tona”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Shoqata e Trajnerëve dhe FFK organizojnë seminarin njëditor për trajnerët e portierëve

Bordi i Shoqatës së Trajnerëve në bashkëpunim me FFK-në do të organizojë seminar njëditor për trajnerë të portierëve, i cili do të mbahet të martën, më 15 prill, nga ora 8:45-12:00 dhe 13:30- 17:00 në Kampin Nacional Edukativ në Hajvali.

Ligjërues në këtë seminar do të jetë instruktori i portierëve nga Gjermania, Frank Thieltges.
Në këtë seminar do të ketë punë teorike dhe praktike rreth portierëve të moshave të reja si dhe atyre senior/profesional.
Trajnerët e interesuar duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen në emailin e më poshtëm:
email: departamentiteknik@ffk-kosova.com
Orët mësimore në këtë seminar do të njihen si – mësim i vazhdueshëm (CPD) nga Departamenti i Edukimit në FFK në përputhje me Konventën e trajnerëve për vazhdimin e licencave.

E jashtëzakonshme: Barcelona interesohet për Edon Zhegrovën

Edon Zhegrova do të largohet nga Lille në verë, megjithatë ende nuk dihet se ku do ta vazhdoj karrierën.

Gazeta katalonase SPORT raporton se Edon Zhegrova është vendosur fort në radarin e Barcelonës këtë verë, pasi klubi e ka monitoruar nga afër sulmuesin e talentuar.

Reprezentuesi kosovar, që aktualisht luan për Lille, është gati të largohet nga klubi francez pasi i ka informuar se nuk do të rinovojë kontratën e tij, e cila skadon në vitin 2026.

Skautët e Barcelonës kanë qenë veçanërisht të fokusuar te Zhegrova, të impresionuar nga paraqitjet e tij këtë sezon, veçanërisht në Ligën e Kampionëve, ku luajti role kyçe në fitoret ndaj Real Madrid dhe Atletico Madrid.

Zhegrova, i njohur për aftësitë e tij në driblim, aftësinë për të shënuar dhe shkathtësi në krahun e djathtë, ka shprehur prej kohësh admirimin e tij për Barcelonën.

Talenti i tij e ka bërë atë një nga lojtarët më të spikatur të sezonit dhe Barcelona e sheh atë si një shtesë të mundshme për të forcuar sulmin e tyre.

Ndërsa klubi është i vetëdijshëm për aftësitë e tij, ata nuk kanë bërë ende një lëvizje zyrtare, pavarësisht përfshirjes së tij në raportet e tyre të skautizmit së bashku me shokët e skuadrës së Lille si portieri Lucas Chevalier dhe sulmuesi Jonathan David. Lille, i cili nënshkroi Zhegrovën për pak më shumë se 7 milionë euro në 2021, po kërkon mbi 30 milionë euro për anësorin, por ata mund të jenë të gatshëm të negociojnë për të shmangur humbjen e tij falas kur kontrata e tij të përfundojë në 2026.

Megjithëse Napoli ka shprehur interes dhe është takuar me përfaqësuesit e tij, Barcelona mbetet destinacioni i preferuar i lojtarit, por një marrëveshje ende nuk është realizuar.

Menaxheri i kombëtares akuzon agjentët për largimin e futbollistëve nga Kosova

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ka fajësuar agjentët e lojtarëve kur këta të fundit zgjedhin se cilën kombëtare të përfaqësojnë.

Në një intervistë për KosovaPress, Shala ka komentuar zgjedhjen e Etnik Brrutit të Malishevës për kombëtaren shqiptare, vendim ky që u cilësua edhe si ‘tradhti’ nga qarqe të afërta me Federatën e Futbollit të Kosovës.

I kemi shterrur të gjitha mundësitë. E kemi siguruar se është pjesë e Kombëtares.

Vendimet individuale të futbollistëve, të keni të qartë, merren në bazë të interesave personale të cilit do çoftë futbollist. Asnjë futbollisti asnjëherë nuk i është mbyllur dera e prezantimin të Kosovës, as edhe njërit, të gjithëve iu është ofruar kjo mundësi, por pastaj futbollistë të ndryshëm kanë bërë zgjedhje të ndryshme për arsye dhe interesa të ndryshme puro personale dhe kjo është diçka që nuk diskutohet në asnjë formë”, theksoi Shala.

Ai shton se janë agjentët e lojtarëve që në shumë raste bëjnë pazare me lojtarët dhe kjo “është arsyeja pse Federata e Futbollit nuk dëshiron të kontaktojë me ta”.

Largimin e Brrutit Shala thotë se provuan ta ndalin përmes kontakteve direkte me lojtarin.

Agim Ademi: Kjo festë është moment reflektimi dhe mirënjohjeje

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar fitër Bajramin.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarë të besimit islam!

I nderuar komunitet i futbollit, Me përfundimin e muajit të madhëruar të Ramazanit, kam kënaqësinë që sot, në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju përcjell urimet më të mira për festën e Fitër Bajramit për Ju dhe Familjet tuaja.

Kjo festë është moment reflektimi dhe mirënjohjeje, një mundësi për të forcuar lidhjet familjare dhe për të ndarë të mirat me ata që kanë nevojë.

Në këtë festë le të kultivojmë vlerat e dashurisë, respektit dhe harmonisë në shoqërinë tonë, duke kontribuar për një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

Me dëshirën që Zoti t’ua ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe veprat e mira gjatë këtij muaji të bekuar, në emrin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, ju uroj nga zemra Fitër Bajramin.

Shëndeti, begatia dhe lumturia qofshin me Ju dhe Familjet tuaja!

Urime e me fat Fitër Bajrami!”, ka uruar Ademi.

Vedat Muriqi kritikon Mallorcan për trajtimin ndaj tij

Vedat Muriqi është i lënduar dhe këtë e ka shfaqur haptazi në një intervistë dhënë për televizionin “IB3”.

Sulmuesi i Kosovës ka zbuluar disa bisedime me klubin e Mallorcas në lidhje me vazhdimin e kontratës së tij, e cila, deri tani, nuk është realizuar dhe Muriqi e ka kritikuar heshtjen e klubit në lidhje me këtë çështje, shkruan mediumi i madh spanjoll “AS” të shtunën.

Muriqi ka kontratë deri më 30 qershor të vitit 2027.

“Gjashtë muaj më parë i propozova Mallorcas për vazhdimin e kontratës dhe nuk mora asnjë përgjigje, ky është turp”, ka deklaruar Muriqi.

Muriqi nuk do të jetë pjesë e Mallorcas për duelin e rëndësishëm ndaj Valencias që luhet të dielën nga ora 18:30 në “Mestalla”. Kjo ndeshje i takon xhiros së 29-të të La Ligas. Lajmi për mungesën e tij është konfirmuar nga klubi të shtunën.

Në njoftimin për lojtarët e ftuar për duelin ndaj Valencias, është përmendur vetëm se Muriqi, Robert Navarro dhe Cyle Larin, do të mbeten në ishull dhe nuk do të udhëtojnë. Por, nuk është njoftuar për ndonjë lëndim.

Muriqi para pushimit të ndeshjeve të përfaqësueseve e kishte shënuar golin e pikëve të plota nga penalltia, në fitoren 2:1 ndaj Espanyolit. Më pas i ishte bashkuar Kosovës për ndeshjet e plejofit të Ligën B të Ligës së Kombeve ndaj Islandës. Në duelin e parë, Muriqi kishte luajtur 88 minuta në fitoren 2:1 të Kosovës në Prishtinë, kurse në Murcia të Spanjës, Muriqi realizoi “hat-trick” në fitoren 3:1. Muriqi në 25 ndeshjet e edicionit aktual me Mallorcan i ka shënuar shtatë gola, ndërsa ka kontribuuar edhe me dy asistime.

Por, Muriqi synon më shumë se kaq. Ai ka ambicie për t’u bërë legjendë e klubit të Mallorcas.

“Dua ta rinovoj kontratën për të thyer rekorde dhe për t’u bërë legjendë e klubit. Dhe nëse dua të bëhem legjendë e klubit, më duhet kontratë afatgjate. Kam familje, fëmijët janë në shkollë. Gruaja ime është e lumtur, njësoj siç jam edhe unë. Jemi në gjendje të mirë dhe i kemi të gjitha. Të gjithë e dinë se kam pasur oferta, por unë duhej të kisha diçka të qartë, ose të largohesha ose të merrja kontratë afatgjate e të qëndroja këtu pa e menduar largimin”, ka thënë sulmuesi shtatlartë i Kosovës.

Argumentet e Muriqit nuk ndalen me kaq. Ai është i bindur në dy pika që qëndrojnë në këtë çështje.

“Së pari, ata nuk më kanë thënë se duhet të presin që të flasin me pronarët, dhe kjo ka qenë besoj para gjashtë muajsh. Edhe nëse je në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me zona të ndryshme kohore, kemi mundur të flasim apo jo? Dhe e dyta, nuk do të pajtohesha. Pse? Për shkak të gjithë asaj që kanë bërë për mua, për këtë ekip, dhe mbi të gjitha njerëzit si Pablo Ortells, që më mori nga Brugge dhe më solli këtu. Unë do të flisja si çdo futbollist që dëshiron ta rinovojë kontratën”.

Muriqi insiston se klubi në raport me lojtarët dhe anasjelltas, duhet të jenë të hapur dhe të flasin për çdo çështje, si në momente të mira apo edhe të këqija.

“Duhet të jesh i sinqertë kur flet për kontratën. Kjo të vjen gjatë kohës kur ke momente jo të mira si lojtar dhe nuk mund të shkosh dhe të kërkosh diçka sepse mund të thonë të largohesh dhe ta mbyllin derën sepse nuk ke kontribuuar në fushë. Unë nuk dua që të shkojë dhe të kërkojë diçka sepse nuk i takon karakterit tim dhe të shitem i fortë duke bërë presion. Jo”, thotë Muriqi duke vazhduar: “Por kur ata të thonë se do të flasim dhe kalojnë gjashtë muaj, kjo nuk është e hijshme. Nuk është e hijshme kundrejt një lojtari që e jep jetën në fushë për ekipin”.

30-vjeçari Muriqi është kthyer në njërin prej sulmuesve më të mirë të skuadrës së Mallorcas. Ai fillimisht iu bashkua ekipit spanjoll në janar të vitit 2022 në formë huazimi, ndërsa transferimi u kompletua në korrik të atij viti për 8 milionë euro.

Me Mallorcan ka zhvilluar 112 ndeshje dhe ka kontribuuar me 35 gola e 11 asistime. Muriqi karrierë ka bërë edhe te Lazio, Fenerbahçe, Rizespori, Genclerbirligi, Teuta, Besa e Liria.

“Kur u transferova te Mallorca për herë të parë, kam thënë se doja të fitoja trofe apo të luaja në Evropë”, ka deklaruar Muriqi që në edicionin e kaluar të Kupës së Mbretit ishte afër qëllimit, por u mposht në finale.

Muriqi ka theksuar se nëse ai i realizon 12 apo 13 gola, ekipi i tij do të luajë në Evropë edicionin tjetër. Muriqi aktualisht i ka shtatë gola, kurse Mallorca është afër zonës së kupave evropiane.

12 sekondat e ndeshjes së NBA-së që sot trazuan internetin

Një prej ndeshjeve më dramatike të sezoneve të fundit në NBA është zhvilluar mes Chicago Bulls dhe LA Lakers.

Ekipi nga Los Angelesi kishte epërsinë deri në 12 sekondat e fundit, por këtu ndryshoi gjithçka dhe këta sekonda ishin më dramatikët në NBA.

Një treshe e “Demave” ua dha epërsinë, ndërkaq pasoi edhe një vjedhje topi, duke tronditur Lakersat.

FC Suhareka merr pikët e arta ndaj Malishevës

FC Suhareka ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Malishevës në kuadër të javës së 26-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, duke përmbyllur takimin me rezultat 2-1

Ekipi i Mirel Josës ka shfrytëzuar terrenin vendas për të marrë tri pikë shumë të vlefshme në luftën për mbijetesë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, të cilat krijuan raste shënimi, por pa arritur t’i konkretizojnë dhe shkuan në pushim baras 0-0.

Në pjesën e dytë, vendasit ishin skuadër më konkrete, pasi dy nga rastet e krijuara arritën t’i shndërrojnë në gol, ndërsa mysafirët arritën vetëm një herë ta tundin rrjetën.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 57-të me anë të Eneid Kodra, i cili shënoi për 1-0, ndërsa Mevlan Zeka (85’) u përkujdes për epërsinë 2-0.

Në minutat shtesë, Malisheva gjeti golin me anë të Drilon Hazrollajt, i cili shënoi për rezultatin përfundimtar 2-1.

Pas kësaj fitore, Suhareka ngjitet në pozitën e gjashtë me 32 pikë, ndërsa Malisheva mbetet e treta me 41 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, therandasit udhëtojnë te Ballkani, ndërsa malishevasit e presin Prishtinën.

FFK ndan katër bursa studentore

Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sporteve, ka ndarë sot katër bursa studentore për studentët e dalluar. Ky projekt vjen si një hap i rëndësishëm në mbështetje të të rinjve që synojnë të avancojnë në fushën e sportit dhe edukimit fizik.

Në ceremoninë e ndarjes së bursave, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, përgëzoi dekanin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve, Florian Miftari dhe prodekanin Malsor Gjonbalaj, për këtë nismë të vlefshme që synon të ndihmojë studentët në rrugëtimin e tyre akademik dhe profesional.

“Jam tejet i lumtur që ka nisur një iniciativë e tillë. FFK do të jetë gjithmonë pranë studentëve, jo vetëm me bursa, por edhe duke krijuar mundësi të tjera për zhvillimin dhe avancim”,ka theksuar Ademi.

Krasniqi e priti kryetaren e Federatës së Padelit të Turqisë

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, ka pritur sot kryetaren e Federatës së Padelit të Turqisë, Shohret Pakish dhe përfaqësues të kompanisë së ndërtimit të fushave sportive, Integral Group, të cilët shoqëroheshin nga sekretari i përgjithshëm i Federatës së Padelit të Kosovës, Jusuf Kika.

“Presidenti Krasniqi duke i njohur mysafirët me zhvillimin dhe të arriturat e sportit tonë, foli për bashkëpunimin e mirë që ka KOK-u me Federatën e Padelit të Kosovës dhe avancimin e këtij sporti në vendin tonë.

Të dyja palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit për të masivizuar edhe më shumë padelin në Kosovë, por edhe çështje tjera si përfshirja e padelit në programin e Lojërave Mesdhetare Taranto 2026, që tashmë është punë e kryer, por edhe mundësitë për përfshirjen në programin e LM Prishtina 2030.

Kryetarja Pakish shprehu gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me federatën tonë në projekte të ndryshme, me qëllim avancimin e mëtutjeshëm të padelit“, njofton KOK.