14.5 C
Pristina
E diel, 7 Shtator, 2025
Home Blog Page 4

Kosova mbyll përgatitjet për miqësoren ndaj Komoreve, Foda paralajmëron lojë ofanzive MË

Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur sot përgatitjet për miqësoren e radhës kundër Kombëtares së Komoreve. Seanca e fundit stërvitore u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku nesër, në orën 19:00 do të luhet ndeshja.

Atmosfera në ekip është pozitive dhe përzgjedhësi Franco Foda, bashkë me stafin e tij teknik, ka përdorur këtë seancë për të finalizuar përgatitjet taktike dhe për të vlerësuar formën e futbollistëve, para përballjes që vlerësohet si test i rëndësishëm para kualifikimeve të Kampionatit Botëror në muajin shtator.

Para stërvitjes, përzgjedhësi Foda dhe sulmuesi Albion Rrahmani kanë folur për mediat në konferencën zyrtare.

“Sot kemi stërvitjen përmbyllëse dhe do të shohim cilët lojtarë do t’i angazhojmë. Në bazë të kësaj stërvitjeje do të ketë mundësi edhe për ndonjë ndryshim eventual.

Megjithatë, sigurisht që nuk do të eksperimentojmë shumë, sepse është ndeshja e fundit para kualifikimeve të Botërorit në shtator”, theksoi Foda.

Ai u ndal edhe te progresi i ekipit që nga marrja e detyrës dhe qasja që do ta karakterizojë ndeshjen ndaj Komoreve.

“Që nga viti i kaluar, kur jam angazhuar, kemi pasur parime të qarta loje dhe ide të qarta se si t’i zbatojmë ato në fushë. Do të bëjmë presion ndaj kundërshtarit që nga minuta e parë dhe do të luajmë në mënyrë ofanzive”, tha ai.

Ait tutje theksoi se Kosova duhet të vazhdojë të luajë në mënyrën e njëjtë sikur ndaj Armenisë, por të jetë më e aftë para portës.

“Kemi shënuar gola dhe kemi bërë 38 goditje, prej tyre 16 në portë –që është diçka e rrallë. Në shtator do të kemi kundërshtarë më të fortë dhe nuk do t’i kemi kaq shumë raste, prandaj duhet t’i shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që na jepen”, tha ai.

Foda u pyet rreth paraqitjes së Florian Haxhës, teksa vlerësoi atë për potencialin. “Jo vetëm Florian Haxha, por edhe Baton Zabërgja kanë treguar cilësi shumë të mira dhe janë stërvitur mirë. Janë lojtarë të rinj me potencial për të ardhmen e Kombëtares. Sidomos Haxha ka një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me lëvizjet e tij e bën skuadrën më të rrezikshme”, shtoi ai.

Trajneri gjerman theksoi se e kanë analizuar mirë edhe lojën e kundërshtarit:

“Sot paradite bashkë me lojtarët e analizuam kundërshtarin. Ata luajnë me sistemin 4-3-3 dhe shumica e lojtarëve aktivizohen në Francë. Janë të mirë në posedim të topit dhe shumë aktivë në sulm. Nuk do të jetë ndeshje e lehtë, por duhet të jemi më stabilë dhe t’i shfrytëzojmë rastet që krijojmë”, nënvizoi Foda.

I pyetur nëse me Kosovën do ta përsërisë suksesin që kishte arritur nën drejtimin e Austrisë, duke i kualifikuar Dardanët në Botëror, ai theksoi: “Tani na ka mbetur edhe kjo miqësore. Por, sigurisht, çdo trajner i ka ëndrrat dhe qëllimet e veta. Jemi të vetëdijshëm se kemi një grup të vështirë, por me të gjithë lojtarët dhe bashkëpunëtorët, synojmë ta arrijmë qëllimin tonë dhe do të bëjmë maksimumin për të arritur kualifikimin”.

Ndërkaq, sulmuesi Albion Rrahmani, i cili ka shënuar dy gola në ndeshjen kundër Armenisë, u shpreh i motivuar për të vazhduar me të njëjtin ritëm.

“Patjetër që është një shtysë shumë e madhe për mua dhe jam krenar që kam shënuar gola. Shpresoj që të mos ndalem dhe ta ndihmoj Kombëtaren në maksimum.

Patjetër që vij këtu për të luajtur dhe do të jap 100 përqindshin sa herë të më jepet mundësia dhe do të mundohem ta tregojë veten në mënyrën më të mirë të mundshme që ta bindi trajnerin dhe t’i gëzojmë gjithë tifozët tanë”, tha Rrahmani.

Fitore me pesë gola në shtëpi, Kosova e bukur në fushë përmbys Armeninë

Kosova ka treguar karakter dhe ka përmbysur Armeninë në një miqësore emocionuese në “Fadil Vokrri”. Pjesa e parë përfundoi 2-1 për Armeninë, por Kosova u rikthye fuqishëm në pjesën e dytë dhe e fitoi ndeshjen me rezultat 5-2.

Armenia e kaloi e para në epërsi në minutën e 8-të, kur portieri Amir Saipi e devijoi topin në rrjetën e vet pas një goditjeje nga Nair Tiknizyan.

Kosova reagoi me vendosmëri dhe Ermal Krasniqi goditi shtyllën pak minuta më pas.

Përpjekjet e Kosovës u shpërblyen në minutën e 23-të, kur Lumbardh Dellova lëshoi një goditje spektakolare nga 30 metra, duke barazuar rezultatin.

Armenia kaloi sërish në avantazh në minutën e 29-të, me një goditje të bukur dënimi të Eduard Spertsyan.

Kosova nuk u dorëzua dhe goditi sërish shtyllën në minutën e 38-të me Leart Paqaradën. Portieri i Armenisë, Armend Henri Avagyan, bëri disa pritje vendimtare, duke mbajtur rezultatin 2-1 deri në fund të pjesës së parë.

Në pjesën e dytë, Kosova u fut fuqishëm në lojë dhe kërkoi barazimin që në fillim.

Ky erdhi në minutën e 60-të, kur Baton Zabërxha fitoi një penallti pas një depërtimi të shpejtë. Mërgim Vojvoda realizoi nga pika e bardhë, duke barazuar në 2-2.

Pas këtij goli, Kosova vazhdoi të dominojë dhe mori avantazhin në minutën e 71-të. Lindon Emërllahu shënoi për 3-2 pas një topi të kthyer brenda zonës.

Skuadra e Franco Fodës vazhdoi të rrezikonte portën armene: Florian Haxha pati një mundësi të artë për golin e katërt, por nuk e mposhti dot portierin Avagyan. Në aksionin pasues, Albion Rrahmani goditi shtyllën.

Por Rrahmani nuk u ndal dhe pak minuta më vonë, arriti të realizojë golin e katërt për Kosovën, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2.

Në minutat e fundit, Kosova e kontrolloi lojën dhe me Albion Rrahmani që shënoi sërish pas një pasim të bukur dhe me një goditje të saktë brenda zonës, shënoi golin e pestë për Kosovën dhe duke vulosur fitoren bindëse 5-2.

Miqësorja ndaj Armenisë ishte një provë e rëndësishme për Kosovën, e cila tregoi forcë karakteri dhe një lojë të bukur sulmuese.

Zabërgja: Ndjenjë e jashtëzakonshme që të luash për Kosovën

Sulmuesi i krahut, Baton Zabërgja, debutoi për Kosovën në ndeshjen ndaj Armenisë.

Zabërgja e fitoi penalltinë te goli i barazimit për 2:2 të cilin e realizoi Mërgim Vojvoda.

24-vjeçari Zabërgja ka deklaruar pas ndeshjes se është ndjenjë e jashtëzakonshme që ta përfaqësosh Kosovën.

“Është ndjenjë e jashtëzakonshme për çdo futbollist që ta përfaqësosh Kosovën. Trajneri më uroi për ndeshjen e mirë, më tha se me pak qetësi do të shënoje dy apo tri gola në këtë ndeshje”, ka thënë ai.

Konferenca e Kosovës para ndeshjes me Armeninë

Përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda janë në konferencën për shtyp para ndeshjes miqësore me Armeninë që zhvillohet të premten mbrëma nga ora 19:00.

Kosova pas ndeshjes me Armeninë luan më 9 qershor në miqësore edhe ndaj Përfaqësueses së Komoreve, po ashtu nga ora 19:00.

Të dyja ndeshjet luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Mërgim Vojvoda:

Shpresojmë të fitojmë, të vazhdojmë me pozitivitet. Është rast i mirë për futbollistët e rinj ta tregojnë veten.

Janë dy trajnerë krejtësisht ndryshe, ai është spanjoll dhe ka metodën e punimit ndryshe. Ai është në klub dhe kemi më shumë kohë për të punuar me të.

Trajneri Franco Foda është trajner krejt ndryshe. Stili i lojës së Fabregasit më pëlqen dhe shpresoj të vazhdoj te Como.

Është proces i ri dhe shpresojmë që të marrim pikë ndaj Zvicrës dhe ndaj Suedisë. Ndaj të gjithëve që i kemi në grup. Dy ndeshjet e para janë ndaj Zvicrës dhe Suedisë, shpresoj të marrim pikë. Besoj se kemi treguar lojë të mirë në të kaluarën dhe shpresoj të na prijë fati e të fitojmë

Franco Foda:

Lojtarët e rinj janë integruar shumë shpejtë në lojën e skuadrës. Ne kemi vëzhguar lojtarët e rinj para se t’i ftojmë ata. Kanë treguar performancë të mirë. E kanë vërtetuar në seancat e kaluara stërvitore. A do të angazhohen në ndeshjen e radhës mbetet të shihet nesër para lojës.

Qëllimi kryesor i joni është që dy ndeshjet t’i fitojmë. Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Është me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona.

Lëndimet janë pjesë e futbollit, pjesë e përditshmërisë. Jam trajner që punoj me lojtarët që janë të gatshëm dhe me shëndet të mirë. Kur dihet që 3-4 lojtarë të rëndësishëm po mungojnë, do të mundohem të punojë me të tjerët. I kemi 25 lojtarë dhe do ta kenë mundësinë ta tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit.

Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjen e radhës që do t’i zhvillojmë në ditët e ardhshme. Jam i koncentruar në lojtarët që i kam në dispozicion. Do t’i aplikojmë gjitha metodat e punës dhe parimet tona të punës, do të jemi aktiv, do t’i bëjmë presion kundërshtarit me lojë agresive, do të mundohemi të luajmë lojë sa më të mirë ofensive. Dëshirojmë që paraqitja jonë të jetë sa më kompakte dhe stabile.

Foda për Dardan Shabanhaxhajn:

“Ne flasim me shumë lojtarë të cilët janë potencial që ta përfaqësojnë Kosovën. Ndër ta ka qenë edhe Dardani. Ato janë bisedë mes nesh dhe mbetet të shihet se për kë do të vendosë ai të luajë në të ardhmen”.

FSHF-ja del me sqarim publik për procesin e shitjes së biletave të ndeshjes Shqipëri-Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit njofton se po vijon procesi i shpërndarjes së biletave përmes shortit elektronik për ndeshjen Shqipëri – Serbi.

Të gjithë personat që janë shpallur fitues dhe e kanë fituar të drejtën për të blerë bileta duhet të veprojnë sa më shpejt, pasi linku i dërguar është i vlefshëm vetëm për 24 orë nga momenti i marrjes.

Pas këtij afati, linku bëhet i pavlefshëm dhe biletat nuk mund të blihen.

Për këtë arsye, FSHF u bën thirrje të gjithë fituesve të përfundojnë procesin e blerjes brenda afatit, duke kryer pagesën përkatëse.

Ndeshja Shqipëri – Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, do të zhvillohet të shtunën, më 7 qershor, në orën 20:45, në stadiumin “Arena Kombëtare”.

Kombëtaret U19 dhe U17 mësojnë kundërshtarët për ciklin kualifikues

Sot në selinë e UEFA-s në Nion është hedhur shorti për raundin e parë të kualifikimeve për Kampionatin Evropian për vajza për edicionin 2025/26, ku Kombëtaret U19 dhe U17 të Kosovës kanë mësuar kundërshtaret e tyre në Ligën A, përkatësisht Ligën B.

Dardanet U19 në Grupin A7

Kombëtarja U19 e Kosovës është vendosur në Grupin A7 të Ligës A, ku do të përballet me kombëtare të forta si Portugalia, Danimarka dhe Islanda.

Liga A përbëhet nga 28 skuadra, përfshirë edhe shtatë ekipet e promovuara nga Liga B pas edicionit të kaluar. Nga shtatë grupet që janë krijuar, ekipet që përfundojnë në vendin e fundit do të bien në Ligën B për raundin e dytë.

Mini-turnetë do të zhvillohen në një vend të vetëm, me ndeshjet që do të luhen në parim ndërmjet datave 20–28 tetor ose 24 nëntor–2 dhjetor 2025. UEFA do të caktojë më vonë vendin pritës për secilin grup.

Dardanet U17 në Grupin B1

Kombëtarja U17 e Kosovës është shortuar në Grupin B1 të Ligës B, ku do të përballet me Uellsin, Moldavinë dhe Azerbajxhanin. Në këtë fazë marrin pjesë 21 skuadra, përfshirë edhe ato që janë rikthyer nga Liga A në raundin e dytë të edicionit të kaluar.

Fituesit e secilit grup dhe skuadra më e mirë e vendit të dytë do të promovohen në Ligën A për raundin e dytë. Vendet pritëse për mini-turnetë do të caktohen nga UEFA, ndërsa ndeshjet pritet të zhvillohen deri më 2 dhjetor 2025. Datat e sakta do të bëhen të ditura së shpejti.

Arbër Hoxha e Strakosha duan pikët e plota ndaj Serbisë

Sulmuesi i krahut, Arbër Hoxha dhe portieri Thomas Strakosha, janë futbollistët e radhës që janë paraqitur në konferencën për shtyp para ndeshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë.

Përballja Shqipëri – Serbi, zhvillohet të shtunën mbrëma në “Arenën Kombëtare” dhe i takon kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit të ardhshëm.

Të dy futbollistët, kanë shprehur optimizmin e tyre para këtij dueli që e kanë vlerësuar si tejet të rëndësishëm.

Në fakt, Hoxha ka insistuar se ndeshja me Serbinë është vendimtare për rrugën e Shqipërisë drejt kualifikimin në Botërorin 2026.

Përkundër që e vlerëson si ndeshje të vështirë, Hoxha ka thënë se beson në fitoren e Shqipërisë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, e dimë që kundërshtari ka shumë cilësi, por po punojmë shumë mirë, po përgatitemi dhe shpresojmë e besojmë që do ta fitojmë ndeshjen. Ne jemi profesionistë, do bëjmë tonën në fushë, bëjmë më të mirën. Kjo ndeshje është e vështirë dhe vendos për një vend “play off” për në Botëror, shpresojmë të fitojmë dhe të kemi shpresë në Botëror”, është shprehur Hoxha.

Motivimin e tij para ndeshjes me Serbisë, e ka shprehur edhe portieri Strakosha.

Ai ka thënë se Shqipëria, patjetër që duhet ta mposht Serbisë për të vazhduar ëndrrën e kualifikimit në Botëror.

“Por ne dimë që vlen për 3 pikët dhe jo më shumë, duhet të bëjmë të lumtur tifozët tanë dhe te festojmë me të. Tifozët e kanë treguar se nuk është një ndeshje si ato që kemi luajtur tani, por ne shikojmë nga ana sportive. Duhet të tregojmë që e meritojmë Botërorin dhe e shtuna është ndeshja më e rëndësishme që kemi tani për të vazhduar ëndrrën tonë, e kemi përgatitur shumë mirë deri tani, çunat janë pozitivë dhe besoj mund tja dalim”, ka thënë Strakosha.

Tri ditë pas ndeshjes me Serbinë, Kombëtarja shqiptare do të luaj në udhëtim kundër Letonisë, ndeshje kjo që gjithashtu i takon Grupit K të kualifikimeve për Botërorin 2026.

Pas dy ndeshjeve në kuadër të këtyre kualifikimeve deri më tani, Shqipëria ka tubuar tri pikë.

Foda intensifikon punën me ekipin, Raçi e Rrudhani optimistë për fitore në dy miqësoret

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor kundër Armenisë dhe Komoreve. Edhe kjo seancë është mbajtur në Kampin Nacional në Hajvali dhe është karakterizuar me intensitet të lartë dhe përkushtim maksimal nga të gjithë futbollistët.

Përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ata që munguan në seancat paraprake, dhe ka vazhduar të punojë me ekipin në ndërtimin e filozofisë së lojës që do të aplikohet në këto dy miqësore. Stafi teknik është përqendruar në aspektet taktike dhe organizimin e lojës në të dy fazat, si në mbrojtje edhe sulm.

Pas përfundimit të stërvitjes, futbollisti Ron Raçi, i cili për herë të parë është ftuar nga Foda u shpreh i lumtur që është pjesë e Kombëtares së Kosovës.

“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve. Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit. Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja. Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori”, tha Raçi.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Donat Rrudhani, i cili theksoi rëndësinë e këtyre dy përballjeve si pjesë e përgatitjeve për ciklin kualifikues të Botërorit.

“E dimë që janë dy miqësore shumë të rëndësishme dhe duhet t’u qasemi me shumë seriozitet, duke u përgatitur maksimalisht si individë, por edhe si grup. Lojtarët e rinj i kemi pritur shumë mirë dhe besoj që janë ambientuar. Shpresoj që edhe ata do të tregojnë potencialin e tyre në këto miqësore”, tha ai.

Kosova do të përballet me Armeninë më 6 qershor dhe me Komoret më 9 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me të dyja ndeshjet që nisin në orën 19:00. Këto sfida do të shërbejnë si test i rëndësishëm për Dardanët, në prag të nisjes së kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ku janë në grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Seanca e radhës stërvitore është paraparë të mbahet të mërkurën, në orën 17:00, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Kur arti dhe sporti bahen bashk!

0

Ikona e folklorit shqiptar, Ymer Gashi-Mleqani sot nisi ditën më ndryshe se zakonisht. I madhi i vëllëzerëve nga bijtë e Sef Mleqanit, vizitoi selinë e futbollit kosovar, përkatëisht Presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi!

Sporti, kultura e arti gjithnjë mbetën të pandara, derisa edhe në të kaluarën nuk kanë munguar bashkëpunimet dhe kontaktet e akterëve të këtyre fushave, shkruan Albanian News. Ndërkaq takimin me Gashin, e ka njoftuar edhe i pari i futbollit kosovar, Ademi:

Sot në zyrën time pata kënaqësinë të mirëpres artistin e shquar të folklorit, Ymer Sefë Mleqani, i njohur edhe si vëllai i madh i grupit të njohur të rapsodëve ‘Bijtë e Sefës’. Kjo familje është një simbol frymëzimi për atdhedashuri dhe patriotizëm, që nga kohët e babait të tyre, Sefë Mleqani, i cili me këngët e tij ngjalli ndjenja kombëtare dhe krenari shqiptare.

Në të njëjtin shpirt atdhetar, familja e tyre ka dhënë një kontribut të madh edhe gjatë luftës së fundit të UÇK-së, ku për lirinë e Kosovës u flijua dëshmori i kombit Beqir Gashi-Mleqani, po ashtu një rapsod i njohur dhe i respektuar. Gjatë luftës, shtëpia e tyre u granatua, duke shkaktuar plagosjen e disa anëtarëve dhe humbjen tragjike të disa vëllezërve të tjerë.

Krenohem dhe ndihem i nderuar që njoha nga afër këtë familje, që përmes artit dhe sakrificës së tyre, janë bërë shembull i vërtetë i dashurisë për atdheun.

Presidenti I FFK-së, Agim Ademi viziton ekipin kombëtar të Kosovës: I përgëzoj futbollistët për angazhimin

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vizituar sot ekipin Kombëtar të Kosovës në Kampin Nacional në Hajvali ku po përgatiten për dy ndeshjet miqësore që I zhvillon në muajin qershor.

Kosova fillimisht do të luajë më Armenin me 6 qershor ndërsa tri ditë më vonë luan me Ishujt Komore. Të dyja ndeshjet luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Isha i lumtur të takoja edhe futbollistët Ron Raçi, Florian Haxha e Bledion Krasniqi, të cilat për herë të parë janë pjesë e Dardanëve, duke sjellë shpresë dhe energji të re në familjen tonë të madhe.

Uroj me gjithë zemër që ekipi të ecën me sukses në këtë rrugëtim dhe të na bëjnë krenarë në çdo sfidë”, ka shkruar ndër të tjera Ademi.

Postimi i plotë:

Sot vizitova ekipin kombëtar të Kosovës gjatë seancës stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe bashkuese, ku secili lojtar i grumbulluar po përgatitet me pasion për dy ndeshjet miqësore që po afrohen.

Isha i lumtur të takoja edhe futbollistët Ron Raçi, Florian Haxha e Bledion Krasniqi, të cilat për herë të parë janë pjesë e Dardanëve, duke sjellë shpresë dhe energji të re në familjen tonë të madhe.

Uroj me gjithë zemër që ekipi të ecën me sukses në këtë rrugëtim dhe të na bëjnë krenarë në çdo sfidë.