18.4 C
Pristina
E martë, 9 Shtator, 2025
Home Blog Page 8

Turniri tradicional “Zejnullah Zejna” mbledh mijëra pjesëmarrës në Stukenbrock

Më 1 maj 2025 në Stukenbrock të Gjermanisë u mbajt turniri tradicional “Zejnullah Zejna”, i cili që nga viti 1993 organizohet nga FC Kastrioti. Turniri mban emrin e bashkëthemeluesit dhe lojtarit të klubit, Zejnullah Zejna, i cili ra dëshmor në Betejën e Koshares më 1999.

Turniri i sivjetëm nisi në orën 09:30 me fjalën hyrëse të koordinatorit të garave, Sylë Fetaj, dhe njëherazi nisën edhe ndeshjet në pesë fusha të ndryshme. Aktiviteti sportiv u shoqërua me një atmosferë festive, me kuzhinë tradicionale, argëtim për fëmijët dhe performanca muzikore nga DJ Gimi-O dhe grupi folklorik “Dardanët”.

Ngjarja mblodhi rreth 6.000 mysafirë nga Gjermania dhe trojet shqiptare. Turniri u nderua me praninë e përfaqësuesit të Ministrisë së Diasporës, Enis Badalli, dhe konsullit të përgjithshëm në Düsseldorf, Behar Isma, të cilët zhvilluan takime me anëtarë të mërgatës.

Në garat sportive morën pjesë 55 ekipe nga e gjithë Gjermania, të ndara në 10 grupe. Pas 157 ndeshjesh, fitues i turnirit u shpall ekipi Selimi&Bella Bau, i cili në finale mposhti ekipin Prilli 99 me rezultatin 1:0. Vendin e tretë e zuri Drenica Leverkusen, që pas goditjeve nga penalltia e mposhti ekipin R&G Bau.

Bernard Imeri nga Prilli 99 u shpall lojtari më i mirë i turnirit, ndërsa Petrit Budakova nga Bella Bau, për të dytin vit radhazi, u vlerësua si portieri më i mirë. Trofetë u ndanë nga kryetari i FC Kastrioti dhe përfaqësuesi i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Mustafë Bellaina.

Këto janë vendimet dhe gjobat e Disiplinorit të FFK-së

Komisioni Disiplinor dhe Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës (shkalla e parë), në përbërje me Metë Çekun (kryetar), Avni Shalën dhe Donat Lushakun (anëtarë), ka shqyrtuar rastet disiplinore pas përfundimit të xhiros së 32-të të Albi Mall Superligës, xhiros së 25-të të Ligës së Parë (Grupi A dhe B), si dhe ndeshjeve në ligat tjera për edicionin 2024/25.

Pas analizimit të raporteve të zyrtarëve të ndeshjeve dhe incizimeve televizive, janë marrë disa vendime ndëshkuese, duke përfshirë gjoba financiare dhe suspendime:

FC Prishtina është dënuar me 1,300 euro për shkak të lëshimeve në organizim. Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Ballkanit, një person i paautorizuar, në gjendje të dehur dhe i lidhur me kryesinë e klubit, hyri në ambientet zyrtare dhe ofendoi zyrtarët e skuadrës mysafire. (Recidivist)

KF Vëllaznimi dënohet me 1,000 euro pas sjelljeve të dhunshme të tifozëve ndaj Lirisë. Ndeshja u ndërpre për pesë minuta në pjesën e dytë për shkak të hedhjes së mjeteve piroteknike që dëmtuan fushën në të paktën pesë vende. (Recidivist)

KF Malisheva ka marrë gjobë prej 600 euro për incidentin në minutat shtesë të ndeshjes kundër Dukagjinit, kur një person i paautorizuar hodhi mjete piroteknike në shtegun e atletikës, duke shkaktuar ndërprerje të ndeshjes. (Recidivist).

Emin Bajrami, kryetrajneri i KF Fushë Kosova, është gjobitur me 200 euro për fyerje ndaj gjyqtarit kryesor pas përfundimit të ndeshjes me Prishtinën e Re.

Armend Thaqi (SC Gjilani) është dënuar me 2 ndeshje moslojë pas kartonit të kuq direkt në përballjen ndaj Feronikelit 74, për ndërhyrje të ashpër të konfirmuar përmes VAR-it.

Gentrit Bislimi (FC Liria) gjithashtu është ndëshkuar me 2 ndeshje pezullim, pas ndërhyrjes së ashpër që solli karton të kuq direkt në duelin kundër Vëllaznimit.

Ema Kastrati (KFF Kosova VR) është suspenduar për 2 ndeshje në Superligën e Femrave, pas kartonit të kuq si “lojtarja e fundit” në ndeshjen ndaj Podujevës.

Nuk ka pushim në Superligë, xhiro e 33-të luhet në mesjavë – orari dhe gjyqtarët

Nuk ka pushim në Albi Mall Superligë, pasi xhiro e 33-të do të luhet në mesjavë, të martën, mërkurën dhe enjten.

Federata e Futbollit të Kosovës ka publikuar orarin e xhiros së 33-të, por edhe është hedhur shorti për gjyqtarët që do të ndajnë drejtësinë.

Ndeshja e parë e xhiros luhet në Gjilan, me Gjilanin që pret Malishevën në një sfidë direkte për pozitën e tretë, derisa në këtë ndeshje drejtësinë e ndanë Visar Kastrati.

Të mërkurën do të takohet Dukagjini dhe Prishtina në Klinë, derisa në Drenas luajnë dy ekipet e fundit në tabelë Feronikeli ’74 dhe Suhareka.

E për të enjten janë në orar dy sfida të tjera me Llapin që pret Ferizajn, derisa Ballkani do të pres kampionin e ri të Kosovës, Dritën.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së 33-të do të luhen me fillim nga ora 15:00.

Sot bëhen 9 vjet që nga pranimi i Kosovës në FIFA, ja çfarë shkruan Presidenti i FFK-së, Agim Ademi

Shkrimi nga Kryetari i FFK-së, Agim Ademi

𝟗 𝐯𝐣𝐞𝐭 𝐧ë 𝐔𝐄𝐅𝐀 – 𝐤𝐫𝐞𝐧𝐚𝐫𝐢, 𝐟𝐮𝐪𝐢𝐳𝐢𝐦, 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨𝐬𝐦ë𝐫𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐯𝐢𝐳𝐢𝐨𝐧 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭 𝐬ë 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐦𝐞𝐬

3 maji i vitit 2016 është një datë që përjetësisht do të mbetet e gdhendur në historinë tonë kombëtare.

Sot bëhen plot nëntë vjet prej ku ëndrra e kamotshme e futbollit kosovar u bë realitet – kur Kosova u pranua si anëtarja më e re e UEFA-s, në Kongresin e 40-të të saj të mbajtur në Budapest.

Ishte një moment historik, që shënoi jo vetëm fitoren për sportin tonë, por për gjithë popullin e Kosovës. Pas një rruge të gjatë, të mbushur me sfida, sakrifica e qëndresë, Kosova më në fund mori vendin që e meritonte – me dinjitet, me guxim dhe me të drejtën legjitime që i takonte.

Që nga ajo ditë e artë, futbolli ynë ka kaluar nëpër një proces të thellë transformimi. Klubet tona garojnë me krenari në arenën ndërkombëtare, ndërsa ekipet kombëtare janë forcuar dhe vazhdojnë të ndjekin ëndrrën e madhe të pjesëmarrjes në finalet e Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës.

Një nga arritjet më të mëdha në këtë rrugëtim është ngjitja e Kombëtares së Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve, sukses ky që flet vetë për rritjen dhe ambiciet tona.

Nga debutimi në Ligën D më 2013, Kosova u ngjit në Ligën C, ku garoi me dinjitet për tre edicione radhazi dhe tashmë është pjesë e një niveli më të lartë të futbollit evropian.

Një tjetër arritje është vendi i 97-të në renditjen e FIFA-s, pozita më e lartë ndonjëherë për futbollin tonë, që dëshmon përparimin e pandashëm në çdo aspekt.

Në këtë përvjetor, duhet theksuar edhe përparimin në edukimin e trajnerëve, ku tashmë kemi miratimin e UEFA-s për të ndarë Licencat A dhe në të ardhmen do të fillojmë procedurat për të aplikuar për Licencën UEFA Pro. E krejt kjo është dëshmi e qartë se jemi duke ndërtuar të ardhme të qëndrueshme për futbollin.

Në fushën e infrastrukturës, përparimi është i prekshëm. UEFA e ka vlerësuar lart punën e bërë në Shtëpinë e Futbollit dhe në Kampin Nacional në Hajvali. Mbledhja e Komitetit HatTrick për herë të parë në Prishtinë është një tjetër shenjë e respektit që Kosova po gëzon në familjen e futbollit evropian.

Me përkushtim po vazhdojmë ndërtimin e fushave stërvitore çdo 45 ditë, në bashkëpunim të ngushtë me komunat e vendit.

Pra, standardet janë ngritur, infrastruktura është përmirësuar dhe futbolli është shndërruar në një aset kombëtar që frymëzon një popull të tërë.

Përmes programeve të UEFA-s dhe FIF A-s, kemi ngritur kuadro të reja, kemi zhvilluar dhe masivizuar komunitetin e futbollit dhe kemi krijuar rrjet të fortë. Tashmë futbolli ka puls në çdo cep të Kosovës.

Në këtë ditë të veçantë, nderojmë me mirënjohje të thellë të gjithë ata që nuk u dorëzuan e që ruajtën shpirtin e futbollit edhe në kohët më të vështira. Ata që e mbajtën gjallë ëndrrën edhe kur ajo dukej e paarritshme, duke filluar nga Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani dhe ekipet e tyre në krye të federatës, gjeneratën e sakrificës dhe kontribuuesit e donatorët e futbollit të cilët e filluan dhe e trasuan rrugën drejt pranimit në familjen e UEFA-s dhe FIFA-s – me epokën e pavarësimit, atë të rezistencës dhe të mbijetesës.

Në krejt këtë rrugëtim, një vend i veçantë i takon Fadil Vokrrit – legjendës sonë të pavdekshme. Me lidershipin e tij ai ishte në krye të misionit historik për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Ky përvjetor i nëntë është edhe një nderim për Legjendën, që me krenari e barti numrin 9 në fanellën e tij gjatë gjithë karrierës si futbollist.

E derisa kujtojmë të kaluarën me mirënjohje e krenari, shikojmë drejt së ardhmes me më shumë vendosmëri se kurrë më parë.

Federata e Futbollit e Kosoves, nën drejtimin tim dhe të Komitetit Ekzekutiv, mbetet e përkushtuar që të çojë përpara çdo projekt dhe çdo iniciativë për ta ngritur futbollin tonë aty ku e meriton.

Urime 9-vjetori i anëtarësimit në UEFA! 🎉⚽️🇽🇰

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi, bashkë për futbollin!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Kosova arrin një tjetër sukses në edukimin e trajnerëve – FFK anëtare e Konventës së UEFA-së në nivelin A

Vetëm nëntë vjet pas pranimit në UEFA, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e edukimit të trajnerëve. Në vitin 2025, FFK është pranuar në Konventën e UEFA-s për trajnerët – për nivelin UEFA A, duke u bërë pjesë e standardeve më të avancuara evropiane në këtë fushë.

Kursi i parë për përgatitje fizike në Kosovë

Në prill të këtij viti, për herë të parë në Kosovë është nisur edhe kursi UEFA Fitness B, dedikuar trajnerëve të përgatitjes fizike. Kursi ka tërhequr pjesëmarrës nga e gjithë Kosova, të interesuar për specializim profesional në këtë segment të rëndësishëm të futbollit modern.

Edukimi i trajnerëve të portierëve

Në shtator 2025, FFK do të organizojë për herë të parë kursin UEFA Goalkeeper B, që synon të ngrisë kapacitetet profesionale të trajnerëve të portierëve në vend.

Në horizont – UEFA Pro

FFK ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë edhe procesi për licencimin UEFA Pro, që përfaqëson nivelin më të lartë të edukimit për trajnerët dhe do të shënojë një tjetër kapitull të rëndësishëm për futbollin kosovar.

Për këtë progres të madh, meritat shkojnë edhe për Departamentin e Edukimit të FFK-së, me në krye Sanije Krasniqin, për përkushtimin dhe punën e palodhshme në ngritjen e kapaciteteve trajnuese në vend.

Lojërat e Ministrisë | Batatina “kërcënon” me protestë masive në rast se nuk licencohet FFK-ja

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina ka “kërcënuar” me protestë masive para Ministrisë së Sportit, në rast se Federata e Futbollit e Kosovës nuk licencohet nga kjo ministri.

Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit, FFK-ja ka hasur në probleme me licencimin. Mos licencimi nga MKRS-ja do të thoshte anulim të përfitimit nga Ligji për Sponsorizimin, duke i dëmtuar kështu klubet dhe federatën.

Trajneri Tahir Batatina ka thënë se nëse ndalet sponsorizimi atëherë të gjithë klubet duhet t’i ndalin aktivitetet sportive.

Ai ka paralajmëruar protestë, teksa ka shtuar se është e papranueshme që për inate personale të dëmtohet sporti dhe sportistët.

“Nëse ndalet sponsorizimi për klubet sportive, atëherë të gjithë njëzëri duhet t’i ndalim aktivitetet sportive! Të gjithë sportdashësit, tifozët, drejtuesit e klubeve dhe shkollat e futbollit duhet të nisim një protestë masive para Ministrisë së Sportit. Të dorëzohen të gjitha kartelat e lojtarëve në ministri dhe ta lëmë që vetë ministria të organizojë garat në të gjitha kategoritë e futbollit në vendin tonë. Nuk është e pranueshme që për inate personale apo interesa individuale të dëmtohet sporti dhe e ardhmja e futbollit në Kosovë. Në të gjitha vendet e zhvilluara, sporti ndihmohet dhe mbështetet – te ne po pengohet.
Kjo është edhe arsyeja pse të rinjtë po largohen dhe Kosova po zbrazet dita-ditës. Nëse kështu vazhdon, atëherë le të luajnë futboll vetë ministrat dhe zyrtarët e Ministrisë, sepse edhe ashtu nuk kemi institucione funksionale – as kuvend, as qeveri”, thuhet në reagimin e Batatinës në Facebook.

Shkëlqeu në fitoren e Gjilanit, Armend Thaqi ‘Ylli i Javës’ së 31-të në Superligë

Federata e Futbollit të Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall, vazhdojnë të ndajnë çmimin “Ylli i Javës”. Ky çmim për javën e 31-të në Albi Mall Superligë i është ndarë futbollistit të SC Gjilanit, Armend Thaqit.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashtica, Enes Shosholli dhe Avni Shala. Ky komision vendosi që çmimi “Ylli i Javës” për xhiron e tridhjet e një t’i takojë Armend Thaqit, i cili ishte më i dalluari me dy asistime, në fitoren 3:0 të Gjilanit në ndeshjen kundër FC Suharekës.

Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlersua më i miri i javës: “Është e rëndësishme që kemi fituar tri pikë, sepse nuk ishim në një pozitë të mirë në tabelë dhe kemi pasur një histori shumë negative javët e fundit. Kemi bërë shumë gabime dhe është normale që na duheshin tri pikë për t’u qetësuar dhe për të dalë nga zona e rrezikshmërisë”.

“Kemi thënë që nuk jemi për atë zonë, mirëpo kur humb ndeshjet njëra pas tjetrës, është e qartë që rrezikohesh dhe e fut veten në atë zonë. Megjithatë, me këto tri pikë të fituara u qetësuam sado pak dhe jemi disi më të qetë për ndeshjen e ardhshme, në mënyrë që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm.Shpresojmë të dalim në Evropë, sepse ende na e lejon matematika”.

“Përveç performancës sonë, duhet të presim edhe ndonjë gabim nga kundërshtarët tanë, dhe kjo do të ishte një arritje shumë e madhe”.

“Ky çmim i takon gjithë ekipit, jo vetëm mua, sepse të gjithë kanë meritë për këtë paraqitje time. Këtë ndeshje e kemi fituar me shumë meritë.” – tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Dukagjini rikthehet te fitoret, mposht me rezultat të ngushtë Feronikelin ’74

Dukagjini është rikthyer te fitoret, teksa ka mposhtur Feronikelin ’74 me rezultat të ngushtë 2-1.

Ndeshja nisi me dominim të vendasve, kur qëlluan shtyllën me anë të Hekuran Berishës.

Megjithatë të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët me anë të Sokol Kiqinës, që realizoi gol të bukur pas asistimit nga Lavdim Zumberit.

Me epërsinë 0-1 të skuadrës mysafire u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes.

Por në pjesën e dytë ishte reagim i mirë nga klinasit, të cilën barazuan menjëherë rezultatin kur Hekuran Berisha shënoi me kokë për 1-1 në minutën e 49-të.

Vetëm 13 minuta më vonë, Dukagjini gjeti një tjetër gol, ku kësaj radhe realizoi mbrojtësi Egzon Sinani për 2-1.

Deri në fund gola më nuk pati dhe Dukagjini arkëtoi tre pikë të mëdha.

Me këtë fitore klinasit shkojn në pozitën e gjashtë me 40 pikë, derisa Nikli mbetet e fundit me 15 sosh.

Në xhiron e radhës Dukagjini luan në udhëtim te Malisheva, derisa Feronikeli ’74 pret Gjilanin.

Dukagjini përballet me Feronikelin ’74 në betejë për mbijetesë

Superliga e Kosovës në futboll vazhdon sot me një tjetër ndeshje të javës së 31-të.

Në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, Dukagjini do të presë Feronikelin ’74, me ndeshjen që nis në orën 15:00.

Skuadra e Ismet Munishit është në kërkim të tri pikëve jetike për mbijetesë në elitën e futbollit kosovar. Aktualisht, Dukagjini ndodhet në vendin e tetë të renditjes me 37 pikë.

Në anën tjetër, Feronikeli ’74 tashmë është zyrtarisht i rënë nga kategoria, me vetëm 15 pikë të mbledhura këtë sezon.

Dita e ndeshjeve: Java e 31-të fillon me dy super ndeshje në Albi Mall Superligën e Kosovës

Sot (e shtunë) janë në program për t’u zhvilluar dy ndeshjet e para të vlefshme për javën e 31-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll.

Xhiro e 31-të fillon të shtunën me dy ndeshje, teksa vazhdon të dielën me një ndeshje dhe dy takimet e fundit që luhet gjatë të hënës.

Gjatë ditës së sotme ndeshja më interesante padyshim pritet të jetë ajo në mes të Gjilanit dhe Suharekës, me të dyja ekipet që luftojnë për mbijetesë.

Gjilanasit duan fitore për tu larguar prej zonës së rrezikshme, ndërsa therandasit t’i afrohen së paku pozitës së barazhit.

Ndeshja tjetër është gjithashtu interesante, me Ballkanin që pret Malishevën, në takimin ku dy ekipet duan të betonojnë pozitat e tyre në top treshe për të mos rrezikuar kualifikimin në garat ndërkombëtare.

Të dy ndeshjet është paraparë të fillojnë nga ora 15:00.